Katër shtetas të Maqedonisë së Veriut do të largohen nga Gaza

Më shumë se 500 persona u lejuan të largoheshin dje, kur pika kufitare u hap për herë të parë pas disa javësh. Autoriteti Palestinez publikoi listën e re të emrave para orës 2 të mëngjesit të sotëm me orën lokale, duke treguar se njerëzit duhet të jenë në pikën kufitare në orën 7 të mëngjesit, transmeton TRT Balkan.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut dje përshëndeti vendimin për hapjen e pikës kufitare Rafa ndërmjet Rripit të Gazës dhe Egjiptit, i cili mundëson evakuimin e shtetasve të huaj, përfshirë pesë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Siç informuam më parë, qytetarët tanë që ndodhen në Gaza tashmë janë të përfshirë në listat e evakuimit dhe presim që së shpejti të realizohet e njëjta sipas rrethanave në terren dhe dinamikës së evakuimit, duke pasur parasysh numrin e madh të shtetasve të huaj në Gaza, të cilët janë pjesë e këtij operacioni”, thotë MPJ-ja.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut gjithashtu thotë se nëpërmjet komunikimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, si dhe me qytetarët e tyre, kjo ministri është e përfshirë menjëherë dhe në mënyrë aktive, me qëllim evakuimin e shpejtë dhe të sigurt të qytetarëve.

Personat që janë në listën e të huajve dhe me shtetësi të dyfishtë, të publikuar nga autoritetet kufitare të Gazës, përveç katër shtetasve maqedonas, janë edhe nga Azerbajxhani (8), Belgjika (50), Bahreini (6), Çadi (2), Kroacia (23), Greqia (24), Hungaria (20), Itali/OKB (4), Meksika (2), Holanda (20), Koreja e Jugut (5), Sri Lanka (17), Zvicra (11) dhe nga ShBA-ja (400).

Kujtojmë se Izraeli vendosi një rrethim total në Gaza kur filloi luftën, kështu që askush nuk u lejua të largohej nga enklava, me përjashtim të katër pengjeve të liruara. Qeveritë e huaja thonë se ka shtetas të 44 vendeve dhe 28 agjencive dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Gaza.