Kasami thotë se është identifikuar personi që shkaktoi zjarrin në komunë, nga Policia nuk japin informata derisa të zbardhet rasti

Zjarri në bodrumin e Komunës së Tetovës ka qenë i qëllimshëm dhe është identifikuar personi i cili e ka shkaktuar atë. Kështu deklaroi për Alsat kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami i cili tha se kjo është vërtetuar nga kamerat e sigurisë. Nga Policia nuk japin detaje deri në zbardhjen e rastit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Kasamit bëhet fjalë për një person i cili nuk është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe që nuk ka dokumente.

“Patjetër që dyshojmë për qëllim këtu se bëhet fjalë për një person fantom pra pa dokumente që për një kohë të gjatë lëviz në rajon. Dyshohet se bëhet fjalë për një person që është nga Kosova dhe nuk ka aspak dokumente apo shtetësi të Maqedonisë. Ne dyshojmë që është profil i përshtatshëm për tu keqpërdorur për një akt të tillë sepse bëhet fjalë edhe për zjarrvënie të dokumenteve që janë të zgjedhjeve të fundit që janë dëmtuar”, tha Kasami.

Ai mes tjerash shtoi se zjarri është shkakruar për të shkaktuar tensione ndëretnike në Tetovë.

Portalb.mk kontaktoi Policinë e Tetovës, mirëpo nga atje shkurt thanë se derisa nuk zbardhet rasti gjërat konfidenciale nuk i publikojnë dhe se deri më tani është raportuar vetëm rasti i zjarrit.

“Me datë 06.10.2024, në ora 15:25, në SPB Tetovë është raportuar se në hapësirat e bodrumit të komunës së Tetovës ka shpërthyer zjarr. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është shuar nga ekipi i Njësitit Territorial Zjarrfikës Tetovë. Është njoftuar Prokurori Publik, ndërsa gjatë ditës do të bëhet inspektimi”, raportoi sot më herët gjatë ditës Policia e Tetovës.

Në zjarr u dogjën materiale nga zgjedhjet komunale nga viti 2017 e këndej, raportohet se janë djegur edhe dokumente të tjera.