Partitë në Bosnje publikuan rezultatet e zgjedhjeve lokale
Rezultati e zgjedhjeve lokale në Bosnje e Hercegovinë (BeH), sipas të dhënave të publikuara nga partitë politike, shfaq mbizotërimin e partisë së liderit prorus Millorad Dodik në Republika Sërpska, të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në zonat ku jetojnë kroatë, si dhe rritjen e Partisë së Veprimit Demokratik të boshnjakëve (SDA), e cila aktualisht është në opozitë në Federatën e BeH, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Dodik deklaroi se partia që ai drejton, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, ka fituar pushtetin në 47 nga 63 komunat e Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjës.
Lideri i partisë më të madhe kroate në BeH, Dragan Çoviq, tha se Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i BeH ka fituar në shumicën e komunave për pozitat e kryetarëve të komunave.
Partia e Veprimit Demokratik (SDA) në këto zgjedhje lokale ka fituar më shumë vota sesa në ato të mëparshmet, tregojnë rezultatet që kjo parti boshnjake i shpalli pas mbylljes së qendrave të votimit.
Kjo parti, e cila drejtohet nga Bakir Izetbegoviq, sipas rezultateve të paraqitura, ka fituar pozitat e kryetarëve të komunave në verilindje të BeH, ku deri tani dominonte Partia Socialdemokrate.
Nuk pati surpriza as në Srebrenicë, qytet ku në vitin 1995 u krye gjenocid. Kandidati i përbashkët i partive serbe fitoi shumicën e votave.
Një nga befasitë ishte edhe shpallja e fitores së Ibro Berilos në komunën Tërnovës së Sarajevës. Ky kandidat i Partisë së Veprimit Demokratik ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Analisti politik Adnan Huskiq tha për Radio Evropa e Lirë se logjika e votuesve që këtë vit votuan për kandidatë të burgosur, ose të akuzuar për korrupsion, është “e pakuptueshme dhe paradoksale”.
Ai thotë se kjo tregon se qytetarët kanë shumë pak besim në institucione, madje më pak sesa në partitë politike.
“Po përpiqem të vendosem në pozitën e dikujt që në qendrën e votimit zgjedh një kandidat që aktualisht është në paraburgim, ose madje i dënuar me vendim të formës së prerë. Nuk mundem, sado që përpiqem, ta kuptoj me cilën logjikë udhëhiqen qytetarët në këtë rast, përveç se kjo tregon sa pak besim kanë qytetarët në institucione, edhe në ato gjyqësore”, tha Huskiq.
Në zgjedhjet lokale në Bosnje e Hercegovinë votuan 47.72% e qytetarëve, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH. Deri tani janë përpunuar rreth 93.47% e qendrave të votimit.
Rreth 3.4 milionë qytetarë kishin të drejtë vote dhe zgjodhën rreth 140 kryetarë qytetesh dhe komunash, si dhe asambletë komunale dhe këshillat e qyteteve.
Për shkak të përmbytjeve, rrëshqitjeve dhe shembjeve të dheut, zgjedhjet janë shtyrë në pesë komuna.