KamerFest:“A Parisian in Duo” interpretojnë violinisti francez-rus Vadim Tchijik dhe pianistja Nita Grubi
Sonte, e martë, 10 shtator 2024, në sallën kamertale të Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, me fillim nga ora 19:00, do të mbahet koncerti i dytë me radhë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi Kamerfest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup, njofton Portalb.mk.
Ky koncert, i titulluar “A Parisian in Duo” sjell para publikut shkupjan violinistin francez-rus Vadim Tchijik dhe pianisten nga Maqedonia e Veriut, Nita Grubi.
Bëhet fjalë për një violinist i cili është vlerësuar me shumë çmime, i njohur gjerësisht për performanca e tij ekspresive. Ai ka fituar çmime në disa konkurse prestigjioze ndërkombëtare, duke përfshirë Konkursin Long-Thibaud në Paris dhe Konkursin Rodolfo Lipizer në Itali.
Vadim performon rregullisht si solist me orkestra dhe në ansamble kamertale anembanë botës, duke shfaqur artin e tij të thellë dhe mjeshtërinë teknike. Ndërsa, pianistja Nita Grubi – e diplomuar nga Fakulteti i artit muzikor pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në klasën e pianistes së njohur Marija Gjoshevska. Grubi, ka një karrier në ngritje, me performanca ndërkombëtare shumëvjeçare. Ajo ka performuar në shumë vende evropiane, duke sjellë një thellësi unike emocionale në veprat e kompozitorëve klasikë.
Programi i këtij koncerti përfshin pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve si: L. van Beethoven, F. Schubert, R. Schumann.
Hyrja për këtë koncert, si dhe të gjitha koncertet tutje të festivalit është falas.