Jo më cigare në tualete, detektorët e tymit nëpër shkollat e Tetovës pritet të jenë funksional në shtator 

Prija e cigareve dhe lëndëve tjera të ngjashme nëpër tualetet e shkollave mbetet problem në Tetovë. Për ta zgjidhur këtë, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami muaj më parë paralajmëroi vendosjen e detektorëve të tymit. Megjithatë, të njëjtat nuk janë vendosur ende, pritet të instalohen nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor, shkruan Portalb.mk. 

Nga Komuna e Tetovës sqaruan për Portalb.mk se kjo masë është në planifikimet e tyre por që pritet të vihet në zbatim nga muaji shtator.

“Aktualisht, po punohet në përgatitjen e procedurave administrative dhe financiare për realizimin e këtij projekti. Besojmë se me fillimin e vitit të ardhshëm shkollor, në shtator, detektorët do të jenë funksionalë në objektet shkollore të përfshira në këtë plan”, thonë nga Komuna e Tetovës. 

Vendosja e detektorëve të tymit u paralajmërua në tetor 2024 pas një debati me Këshillin Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve. 

“Informatë që qarkullon gjithandej është se ka keqpërdorime të fëmijëve në tualete të shkollave ku ndoshta pihet duhan apo edhe veprime tjera të pahijshme, këtu e kemi menduar mundësinë dhe do të shikohet me sektorin për arsim në kuadër të komunës që të instalohen edhe detektorë të tymit nëpër tualetet e shkollave”, pati deklaruar atëkohë Kasami. 

Përndryshe, probleme tjera devijante në shkollat e Tetovës mbetet dhuna, përdorimi i narkotikëve, lojërat e fatit dhe të tjera.