Jankullovski ka marrë 100.000 denarë shtesë rroge si rektor – çfarë thonë kandidatët për pasardhës të tij për këtë shumë?

Pas marrjes së detyrës rektorit aktual të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), Nikolla Jankulovskit dy herë i është rritur kompensimi, gjegjësisht shtesa që merrte krahas rrogës bazë si profesor në Fakultetin e Mjekësisë dhe si mjek në Klinikën e Kirurgjisë Digestive, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Kjo shtesë në vitin 2016 pas marrjes së detyrës nga Jankullovski nga 60.000 denarë rritet në 80.000 denarë, ndërsa në vitin 2021 në 100.000 denarë.

Duke shfrytëzuar Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione Publike, Meta.mk i ka siguruar marrëveshjet e lidhura ndërmjet rektorit dhe Senatit të Universitetit dhe vendimet e Komisionit për Financa, Investime dhe Zhvillim, i cili merr vendime për lartësinë e kompensimit të rektorit. Përndryshe, vendimet janë nënshkruar nga Biljana Angellova, prorektore dhe kryetare aktuale e komisionit, ndërsa kandidate për rektor të ri të UKM-së.

Me qenë se shuma dhe mënyra e pagesës së kompensimit për rektorë shkakton debate të mëdha në opinionin akademik, Meta.mk para zgjedhjeve të nesërme u ka dërguar pyetje dhe ka marrë përgjigje nga gjashtë kandidatët për rektorë:

Nëse zgjidheni rektor, në çfarë mënyre do ta rregulloni çështjen e shtesës për rektor? A do të hiqni dorë nga ajo, apo mendoni se është e domosdoshme? A mendoni se është e arsyeshme shuma pre 100.000 denarëve, aq sa merrte rektori në largim?

Përgjigjet e kandidatëve janë dhënë në tekstin në vazhdim.

Karrigia e nxehtë e rektorit të UKM-së

Sipas dokumenteve, deri në vitin 2008 rektori i UKM-së ka marrë 17.576 denarë nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe 18.000 denarë nga mjetet e Rektoratit. Nga viti 2008 deri në vitin 2016 mjetet nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës mbeten të njëjta, ndërsa pagesat nga llogaria e rektoratit në llogarinë e rektorit rriten në 60.000 denarë.

Me ardhjen e Jankullovskit në këtë funksion në vitin 2016 këto pagesa rriten në 80.000 denarë. Në vitin 2021, në muajin maj, shtesa rritet në 100.000 denarë, por për këtë arsye nuk ka më pagesa nga MASH-i, sepse me marrëveshjen e fundit kolektive të lidhur në prill të vitit 2021 në mes të MASH-it dhe Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, është përcaktuar që “Shtesa funksionale të paguhet vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit”.

Marrëveshja ndërmjet rektorit dhe Senatit të UKM-së i përcakton kushtet themelore për angazhimet e rektorit, ndërsa Komisioni për Financa, Investime dhe Zhvillim e përcakton shumën e kompensimit të tij.

Në marrëveshjen e vitit 2016 thuhet se “rektori e merr rrogën që e ka marrë para se të marrë detyrën e rektorit”, si dhe ka të drejtë për “shtesa të pagës, kompensime të rrogës dhe kompensime të tjera në pajtim me ligjin”. Me të njëjtën marrëveshje parashikohej edhe se rektori ka “të drejtën e celularit dhe shpenzime për përfaqësim në kurriz të Universitetit, brenda dhe jashtë vendit, pa kufizim”. Njëkohësisht është paraparë edhe një automjet zyrtar, 24 orë në ditë, për nevojat zyrtare të tij.

Në mandatin e dytë, në vitin 2020, rektori Jankullovski dhe Senati i UKM-së kanë lidhur një marrëveshje pothuajse identike, por në të cilën nuk është specifikuar nëse shpenzimet për përfaqësim janë të pakufizuara dhe nëse automjeti zyrtar mund të përdoret 24 orë në ditë.

Në bazë të këtyre marrëveshjeve është marrë edhe vendimi i Komisionit për Financa, Investime dhe Zhvillim për pagesën e rektorit.

Dështoi përpjekja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për ta rregulluar shtesën e rektorit

Në vitin 2019 Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit propozoi ngritjen e procedurës penale kundër Jankullovskit për shkak se ai nuk e kishte pezulluar vendin e tij të punës në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive.

“Rektorit i është paguar rrogë nga klinika, ndërsa nga rektorati kompensim për angazhimin e tij në UKM. Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, kompensimi për rektor është i barabartë me pagesën e rrogës dhe për këtë arsye propozoj që të kërkohet nga Klinika ta pezullojë vendin e tij të punës”, tha atëkohë Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Në iniciativën e komisionit thuhet se Jankullovski nuk e ka pezulluar marrëdhënien e punës në ISHP Klinika Universitare e Kirurgjisë Digjestive gjatë kryerjes së detyrës së rektorit. Me këtë, sipas gjetjeve, ai prej vitit 15.09.2016 ka fituar në mënyrë të paligjshme dobi pasurore prej 2,45 milionë denarësh (thuajse 40.000 euro) në emër të rrogës nga klinika, ndërsa ka qenë i detyruar ta pezullojë vendin e tij të punës.

Mirëpo, prokuroria e hodhi poshtë këtë iniciativë të njëjtin vit. Në procedurën parahetimore është konstatuar se Jankullovski është në marrëdhënie të rregullt pune në klinikë si profesor-punonjës shëndetësor, dhe nëpërmjet klinikës merr rrogë dhe sigurim pensional, shëndetësor dhe social. Njëkohësisht, ai është edhe profesor i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku kryen veprimtari shkencore dhe edukative, ndërsa për funksionin e rektorit ka qenë i kompenzuar.

“Pas marrjes së funksionit Rektor i Universitetit, në pajtim me ligjin dhe marrëveshjen e lidhur me Senatin e Universitetit, ai për angazhimin e tij merr kompenzim adekuat funksional, i cili nuk mund të trajtohet si rrogë. Nga faktet verbale-dëshmitë e dëshmitarëve, rrodhi se në të gjithë praktikën e deritanishme të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, të gjithë rektorët e deritanishëm kanë lidhur marrëveshje të këtilla me të cilat janë rregulluar të drejtat dhe obligimet dhe ato marrëveshje kanë qenë plotësisht të respektuara dhe të realizuara”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë, mbi arsyet e hedhjes poshtë të iniciativës së KSHPK-së.

Pesë kandidatë për rektor të ri janë kundër shtesës së lartë për rektorin

Ratko Duev, dekani i Fakultetit Filozofik dhe kandidat për rektor të UKM-së, për Meta.mk thotë se vendimet për rrogat dhe kompenzimet sipas Ligjit për Arsimin e Lartë i sjell administrata e rektoratit dhe senati i UKM-së dhe se “nuk e kupton në bazë të cilit vendim, rregullore apo nen të Statutit të UKM-së, Komisioni për Financa, Investime dhe Zhvillim mund të sjellë vendim për lartësinë e shumës së shënuar të shtesës për rektorin”.

“Nëse zgjidhem për rektor do të bëj revizion të këtij vendimi sipas ligjit dhe statutit. Çdo person përgjegjës është i detyruar të veprojë konform ligjeve, sepse në të kundërtën përgjigjet para institucioneve të shtetit”, thotë Duev.

Me qëndrim të ngjashëm është edhe kandidati për rektor të UKM-së nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informatike (FETI), Dimitar Tashkovski.

“Nëse zgjidhem rektor, aspak nuk do të pranoj kompenzim, por do të marr rrogë për pozicionin e rektorit, siç është shprehimisht e paraparë më Ligjin për Arsimin e Lartë (LAL). Që të jetë marrëdhënia ime e punës në pajtim me LAL, do të lidh marrëveshje punësimi me Senatin për pozicionin e rektorit. Lartësia e rrogës së Rektorit do të jetë e paraparë shprehimisht me Kontratën për punësim. Kompenzimi për rektorin aktual (të cilin e merr mbi rrogën e profesorit) prej 100.000 denarësh mendoj se është tepër i lartë”, thotë ai.

Goran Ajdinski nga Fakulteti Filozofik për Meta.mk deklaroi se bashkësia akademike nuk ka dijeni mbi të ardhurat mujore të rektorit, e as edhe nëse kjo çështje është e rregulluar me kontratë menaxheriale dhe nëse po, cila është përmbajtja e saj.

“Nuk e dimë se nëse është ajo shumë apo ndonjë shumë më e madhe. Me siguri kësaj pyetjeje saktë do të dijë t’i përgjigjet prorektorja për financa. Në shtatë vitet e fundit kjo e dhënë nuk ka qenë e njohur. Nuk e dimë as saktë se si shpërndahen 5% nga çdo projekt i realizuar i universitetit. A paguhen nga këto projekte honorare për rektorin. Sidoqoftë, kompensimi i rektorit duhet të jetë transparent dhe i shpallur publikisht, gjë për të cilën do ta anazhohem fuqishëm”, deklaroi ai.

Kandidatja Hristina Spasevska nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informatike (FETI) thotë se nëse ajo bëhet rektore, do të ketë më pak para për rektorin, e më shumë për shkencën, hulumtuesit dhe të punësuarit.

“Do ta ul vlerën e shtesës për rektorin, të jetë e krahasueshme me rrogën mesatare të një profesori në UKM, ndërsa mjetet do të dedikohen në një program të ri për financimin e hulumtuesve të rinj dhe mentorëve të tyre”, deklaroi ajo.

Kandidati Atanas Koçov nga Fakulteti i Makinerisë tashmë publikisht deklaroi se heq dorë nga shtesa e rektorit.

“Mjetet do të dedikohen për financim të projekteve të UKM-së, e nëse më transferohen në bazë të dispozitave ligjore – atëherë do të dedikohen për fëmijët me nevoja të veçanta! Mendoj se çfarëdo shume më e madhe se 1/3 e rrogës së profesorit është më se paarsyeshme. Të njëjtën e mendoj edhe për të gjithë honoraret autoriale të tjera që ndahen në rektorat në emër të menaxhimit të projekteve ndërkombëtare. Mendoj se Rregullorja duhet të shfuqizohet dhe të mos ketë asnjë lloj ndalese financiare nga e ashtuquajtura overhead nga projektet ndërkombëtare, që janë aplikuar dhe fituar nga ana e njësive (Fakulteteve) të UKM-së”, deklaroi Koçov për Meta.mk.

E vetmja kandidate për rektore Biljana Angellova, e cila është edhe prorektore për financa deklaroi se shtesa e rektorit nuk varet prej sa, por prej Senatit.

“Shtesa e rektorit është çështje që përcaktohet me Kontratën menaxheriale midis Senatit dhe Rektorit. Arsyeshmërinë e shumës e vlerëson Senati. Ajo nuk varet nga vullneti dhe dëshirat e rektorit të ri, por nga faktorë të tjerë që në mënyrë publike dhe transparente i vendosin të gjithë senatorët e UKM-së. Një gjë janë dëshirat, ndërsa tjetër gjë janë mundësitë dhe vullneti i shumicës”, deklaroi Angellova.

Zgjedhjet për rektor të UKM-së mbahen nesër në periudhën nga ora 12 deri në orën 14. Të drejtë vote kanë të gjithë të punësuarit në Universitet që janë me titull Docent, profesor ordinar dhe inordinar, si dhe studentët që janë pjesë e këshillave mësimorë shkencorë të fakulteteve. Sipas të shënuarës në notes, mund të ndodhë që të ketë edhe rivotim, ndërsa një gjë e tillë do të mund të mbahet më 9 qershor, edhe atë në atë njësi ku do të ketë nevojë për rivotim.

Mandati i rektorit është tri vite.