EPI: Komisioni Evropian vlerëson përkushtimin e RMV-së ndaj BE-së, por ka rezerva për ndryshimet kushtetuese
Instituti për Politika Evropiane (EPI) ka publikuar një dokument i titulluar “Koment për Raportin e Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut i 30 tetorit 2024”. Në dokument thuhet se për sa i përket Maqedonisë së Veriut, Komisioni vlerëson përkushtimin e saj ndaj BE-së dhe përputhshmërinë me politikën e jashtme të BE-së, por qëndron e kujdesshme në lidhje me ndryshimet në Kushtetutë dhe respektimin e marrëveshjeve bilaterale. Sipas raportit, vendi ka bërë përparim në disa fusha, por vazhdon të ketë ngadalësim në të tjera, transmeton Portalb.mk.
“Kjo paketë për zgjerim është përgatitur nga mandati i parë i Ursula von der Leyen. Strategjia e zgjerimit thekson integrimin gradual në tregun e përbashkët të BE-së, duke e cilësuar atë si një nxitës, jo si alternativë të anëtarësimit. Komisioni fillon një rishikim të politikave evropiane me vendet e reja anëtare dhe përmend përfitimet ekonomike nga ky proces”, thuhet në dokument.
Raporti përmban dy novacione metodologjike: një përmbledhje më të detajuar dhe përdorimin e grafikëve për vizualizimin e të dhënave. Në përgjithësi, Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të moderuar përgatitjeje, megjithëse përparimi është i kufizuar në disa kapituj krahasuar me kandidatët e tjerë. Analiza e trendëve në raportin e vitit 2024 përqendrohet në pikëpamjet kritike dhe rekomandimet e reja të Komisionit.
Në raportin e publikuar me 30 tetor, thuhej se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese. Megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.