Izraeli merr pjesë në bisedime, OKB thotë se kriza e urisë në Gazë po përkeqësohet

Agjencia kryesore e ndihmave e OKB-së në Gazë njoftoi se po përkeqësohet kriza e urisë në veri, ndërsa Izraeli tha se të dërgonte një delegacion në Katar për bisedime të reja për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga grupi militant Hamas, shkruan Zëri i Amerikës.

Agjencia e Kombeve të Bashkura mbi ndihmat për refugjatët palestinezë, UNRWA njoftoi se një në tre fëmijë nën moshën dy vjeçare në Gazën veriore tani është i kequshqyer, duke rritur kështu gjithnjë e më shumë trysninë mbi Izraelin.

“Kequshqyerja e fëmijëve po përhapet me shpejtësi dhe po arrin një nivel të peshembullt në Gazë”, tha UNRWA në një postim në mediat sociale. Spitalet në Gazë kanë raportuar se disa fëmijë po vdesin nga kequshqyerja dhe dehidratimi.

Të premten, Izraeli tha se do të dërgonte një delegacion në Katar për më shumë bisedime, ndërsa grupi militant Hamas paraqiti një propozim të ri për një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh. Delegacioni do të udhëhiqet nga kreu i agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, David Barnea, tha një burim që kishte dijeni për bisedimet.

Oferta e Hamasit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, parashikon lirimin e dhjetëra pengjeve izraelitë në këmbim të qindra palestinezëve që gjenden në burgjet izraelite gjatë një armëpushimi njëjavor që do të lejonte edhe më shumë ndihma në Gazë. Hamasi gjithashtu bën thirrje për bisedime në një fazë të mëvonshme për përfundimin e luftës, por Izraeli ka thënë se është i gatshëm të negociojë vetëm një armëpushim të përkohshëm.

Një zyrtar i lartë i Hamasit, i tha rrjetit Al Jazeera se propozimi i tyre ishte është aq real sa “askush nuk mund ta kundërshtojë atë” dhe pretendoi se ndërmjetësit kishin reaguar pozitivisht.

Ndërsa familjet e pengjeve izraelite kanë dalë vazhdimisht në protesta për të kërkuar një marrëveshje për lirimin e tyre kryeministri Benjamin Netanyahu kritikoi aleatët.

“Për miqtë tanë në komunitetin ndërkombëtar kam një pyetje: kaq të shkurtën e keni kujtesën? ? Kaq shpejt harruat 7 tetorin, masakrën më të keqe të kryer kundër hebrenjve që nga Holokausti? Kaq shpejt jeni gati t’i mohoni Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur kundër monstrave të Hamasit?” tha Netanyahu në fillim të mbledhjes së kabinetit të tij.

Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare në rritje ai theksoi se Izraeli do të vazhdojë ofensivën e tij në Gazë, duke përfshirë qytetin Rafah, ndërsa vazhdon evakuimi i civilëve nga zonat e luftimit.

Por një nga aleatët e Izraelit, kancelari gjerman Olaf Scholz pas bisedimeve me Mbretin e Jordanisë tha se “numri i madh i viktimave civile që do të rezultonte nga një sulm izraelit në qytetin Rafah të Gazës do ta bënte paqen rajonale shumë të vështirë”.

“Izraeli ka çdo të drejtë të mbrohet. Në të njëjtën kohë, nuk mund të ndodhë që ata që u larguan nga disa pjesë të Gazës dhe u zhvendosën në Rafah të kërcënohen drejtpërdrejt nga çfarëdo veprimesh dhe operacionesh ushtarake”, theksoi ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Jordania kanë vijuar me operacionet për lëshimin e pakove ushqimore nga ajri, ndërsa re tymi ngriheshin mbi qiell si pasojë e bombardimeve izraelite në Gazë.

Lufta filloi më 7 tetor kur grupi militant Hamasi dërgoi luftëtarë në Izrael. Sipas autoriteteve izraelite, nga sulmi i Hamasit u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe ndërsa u morën peng 253 vetë.

Fushata tokësore dhe ajrore e Izraelit ka vrarë më shumë se 31500 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë që kontrollohen nga Hamasi. Izraeli thotë se ka vrarë të paktën 13,000 anëtarë të Hamasit.

Sulmi ka detyruar shumë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, duke e kthyer pjesën më të madhe të territorit në rrënoja dhe duke shkaktuar një krizë urie.