Izraeli kryen sulme vdekjeprurëse në Liban
Sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë tre persona dhe kanë plagosur disa të tjerë më 8 nëntor, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Ndërkaq, Izraeli njoftoi se një nga sulmet goditi trafikantë të armëve nga një grup i lidhur me Hezbollahun, shkruan Euronews.al.
Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se dy vëllezër nga qyteza Sheba u goditën nga sulmet teksa po udhëtonin në një rrugë rrëzë malit Hermon në juglindje të Libanit, “duke bërë që makina e tyre të përfshihej nga flakët, gjë që rezultoi me vdekjen e tyre”.
Ushtria izraelite konfirmoi se ka kryer sulme afër Shebës dhe tha se ka vrarë dy trafikantë nga Brigada për Rezistencë Libaneze, një grup i lidhur me Hezbollahun.
“Terroristët ishin të përfshirë në trafikimin e armëve që përdoren nga Hezbollahu dhe aktivitetet e tyre përbënin shkelje flagrante të mirëkuptimit mes Izraelit dhe Libanit”, tha ushtria izraelite duke iu referuar armëpushimit që i dha fund mbi një vit armiqësi mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani.
“Ushtria izraelite do të vazhdojë të operojë në mënyrë që të eliminojë çdo rrezik që i kanoset shtetit të Izraelit”, paralajmëroi ushtria.
Ministria libaneze e Shëndetësisë konfirmoi numrin e viktimave në Sheba dhe më vonë raportoi se gjatë një sulmi tjetër ajror ndaj një makine në fshatin Barashit në jug të Libanit u vra edhe një person dhe u plagosën katër të tjerë.
Një sulm i ngjashëm ajror izraelit goditi mëngjesin e së shtunës edhe një makinë tjetër pranë një spitali në Bint Jbeil, duke plagosur shtatë persona, tha Ministria e Shëndetësisë.