Ish-zëvendësi i Trumpit nuk do ta mbështetë atë për mandatin e ri

Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mandatin e Donald Trumpit, Mike Pence ka thënë se nuk do ta mbështesë ish-shefin e tij për një mandat të ri në zgjedhjet presidenciale, në një intervistë me Fox News të premten. Fjalët e Pence vijnë pasi Trump siguroi mjaft delegatë për t’u bërë kandidati republikan për president, shkruan Independent, transmeton Klankosova.tv.

Gazetarja Martha MacCaullum e pyeti Pencen se si kandidatët e tjerë republikanë për president e mbështetën ish-presidentin dhe nëse Pence do ta përkrahte.

“Nuk duhet të jetë befasi që unë nuk do të mbështes Donald Trumpin këtë vit”, tha ai, ndërsa theksoi arritjet konservatore të administratës Trump.

“Por duke u thënë kështu, gjatë fushatës sime presidenciale, e bëra të qartë se kishte dallime të thella mes meje dhe Presidentit Trump për një sërë çështjesh, dhe jo vetëm dallimin tonë për detyrat e mia kushtetuese që kam ushtruar më 6 janar”.

Ish-zëvendëspresidenti, i cili fillimisht hodhi kandidaturën për president dhe të cilën e pezulloi para nisjes së garës, e kritikoi Trumpin që po largohet nga vlerat konservatore, veçanërisht për shpenzimet dhe abortin.