Ish ministri rumun dhe eurodeputeti: RMV-ja urgjentisht të kërkojë ndihmë evropiane për të djegurit
Ish ministri i Shëndetësisë në Rumani dhe eurodeputeti aktual Vlad Voiculescu ka bërë thirrje që Maqedonia e Veriut urgjentisht të kërkojnë ndihmë evropiane për viktimat e djegura në zjarrin në diskotekën e Koçanit, transmeton Portalb.mk.
Voiculescu tha se RMV-ja nuk duhet ta përsërisë gabimin e Rumanisë e cila në vitin 2015 u ballafaqua me një tragjedi të ngjashme.
“Asnjë vend në BE – asnjë vend në botë – nuk mund të përballojë vetëm një numër kaq të madh viktimash të djegura. Maqedonia e Veriut merr pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së (UCPM) dhe mund të kërkojë ndihmë në rastet e fatkeqësive të mëdha. Kjo është pikërisht ajo lloj situate për të cilën ekziston mekanizmi”, tha ai.
Voiculescu shtoi se autoritetet në Maqedoninë e Veriut duhet të kërkojnë zyrtarisht ndihmë në mënyrë që viktimat e djegura të marrin trajtim të specializuar në njësitë më të mira evropiane të djegieve.
“Jam i sigurt se komisionerja Hadja Lahbib është tashmë e përfshirë dhe institucionet evropiane si Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERCC), DG ECHO dhe Autoriteti i Gatishmërisë dhe Reagimit ndaj Emergjencave Shëndetësore i Komisionit Evropian (HERA) kanë ndërmarrë tashmë hapat e parë për të ndihmuar viktimat. Por pa një kërkesë zyrtare nga Maqedonia e Veriut, koha e vlefshme po humbet – koha që mund të shpëtojë jetë”, tha ai.
Voiculescu theksoi se Rumania bëri gabime tragjike në vitin 2015 pas zjarrit në klubin e natës Colectiv, duke vonuar ndihmën ndërkombëtare dhe duke mos evakuuar pacientët në kohë.
Në tetor 2015 një zjarr që shpërtheu gjatë ekspozimit të mjeteve piroteknike të një marke rock në klubin e natës Colectiv në kryeqytetin rumun, Bukuresht, vrau 64 persona dhe la rreth 190 të plagosur.
“Shumë njerëz vdiqën pa nevojë për shkak të hezitimit politik. Maqedonia e Veriut nuk duhet t’i përsërisë këto gabime. Nëse jeni në Maqedoninë e Veriut, kërkoni veprim nga qeveria juaj! Çdo orë ka rëndësi”, tha Voiculescu.
Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur. Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 25 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.
LEXO MË SHUMË NË: