Ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, u gjobit nga antikorrupsioni për fshehjen e pasurisë së bashkëshortit të saj, do ta denoncojnë se nuk e ka paguar

Ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, ka marrë urdhërpagesë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për shkak se ka fshehur kompaninë e bashkëshortit të saj në listën pronësore, transmeton Portalb.mk.

Cërvenkovska thotë se nuk ka marrë urdhërpagesë dhe as nuk është paguar. Nga Komisioni antikorrupsion, megjithatë, tregojnë një dokument – ​​dëshmi, një karton me ngjyrë të kuqe se urdhërpagesa është dorëzuar dhe firmosur.

Nga atje thonë se Cërvenkovska ka pasur mundësi të paguajë menjëherë (pra në afat prej 8 ditësh) dhe në atë rast do të përgjysmohej, do të arrinte në 150 euro. Afati ka kaluar, ajo nuk e ka paguar gjobën e plotë prej 300 euro, andaj tani paralajmërojnë se ndaj Cërvenkovskës do të bëhet kallëzim kundërvajtës.

“Nuk kam marrë urdhërpagesë, prandaj nuk kam paguar as gjobë. Kam marrë një njoftim nga KShPK për një akt pronësie jo të plotë dhe i jam përgjigjur Komisionit. U shpjegova se kompania e burrit tim, në kohën kur unë u zgjodha kryetare e Këshillit Gjyqësor, ishte në procedurë falimentimi. Si mund ta përcaktoj vlerën dhe pronësinë e tij në falimentim në pritje? Tani ajo është zyrtarisht e falimentuar, ndërsa bashkëshorti nuk mund as  të afrohet aty,” thotë Cërvenkovska.

Komisioni Kundër Korrupsionit pohon se ajo ka shkelur ligjin dhe thotë se Komisioni për Kundërvajtje do të vlerësojë nëse argumentet e saj janë të vlefshme. Përgjigja zyrtare që morëm prej andej është se materiali përmban prova se ajo ka marrë si njoftimin ashtu edhe urdhërpagesën që nuk do të paguajë, të hartuar më 18 tetor 2022. Në fletëdërgesë thuhet se Cërvenkovsky ka pranuar njoftimin për urdhërpagesë më 1 nëntor 2022.

Pavlina Cërvenkovska u zgjodh anëtare e Këshillit Gjyqësor nga Kuvendi në dhjetor të vitit 2020. Nga vitit 2006 deri në 2021 ka punuar si këshilltar gjyqësor në Qeveri, ndërsa ka punuar edhe si udhëheqës i sektorit në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga viti 1998 deri në 2002 ka punuar si avokat, ndërsa nga 1995 deri në 1998 si sekretar gjeneral i Odës së Kapitalit Privat të Maqedonisë së Veriut.