Ministrat e Maqedonisë së Veriut nuk i japin të dhënat, nuk e deklarojnë pasurinë e tyre në mënyrë transparente

SKUP Maqedoni bëri një analizë të fletëve anketuese të ministrave të Qeverisë aktuale për të parë se cilët ministra nuk e kanë deklaruar vlerën e një pjese të pasurisë së tyre. Ministrat nga kabineti i Hristijan Mickoskit e deklarojnë pasurinë e tyre në mënyrë jotransparente, gjë që lë hapësirë ​​për manipulime më vonë, edhe pse gjendja e tyre pronësore duhet të jetë tërësisht transparente, në mënyrë që të mund të identifikohen më lehtë funkcionerët e korruptuar, njofton Portalb.mk.

Me rëndësi është që të theksohet se në nenin 82 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit thuhet:

“Personi i zgjedhur ose i emëruar në deklaratën e tij të gjendjes pasurore dhe interesave ofron një përshkrim të detajuar të pasurive të patundshme, gjësendeve të tundshme me vlerë që e tejkalon shumën prej njëzet pagave mesatare neto në tremujorin paraprak, letrave me vlerë, kërkesave dhe borxheve, si dhe pasurive të tjera që janë në posedim të tij, ose në posedim të anëtarëve të familjes së tij, duke e theksuar se mbi çfarë baze janë fituar pasuritë e deklaruara”, thuhet në këtë nen.

Mungesa e transparencës fillon me kryeministrin Hristijan Mickovski, i cili gjatë deklarimit të pasurisë së tij nuk ka deklaruar se sa para ka në llogarinë e tij devizore, e cila është deklaruar si depozitë kursimi.

Pas tij, si anëtar jo plotësisht transparent nga kabineti i Mickoskit është zëvendësi i tij Izet Mexhiti.

Ajo që nuk është dekaruar në fletën e tij anketuese është vlera e saktë që ai e ka në llogarinë e tij të transaksionit përmes së cilës e pranon rrogën. Ai njëkohësisht është edhe ministër i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.

Tjetri në radhë në këtë listë është zëvendëskryministri dhe ministër i transportit Аleksandar Nikollovski.

Në fletën e tij anketuese Nikollovski nuk ka shënuar se sa mjete ka në llogarinë e tij transaksionale dhe atë devizore, si dhe në një depozitë të caktuar në një kartelë tjetër krediti.

Gjithashtu, bashkëshortja e tij nuk ka deklaruar se sa mjete zotëron në dy llogari transaksionale dhe një llogari devizore.

Nikollovski ishte në krye të një misioni të korruptuar të Këshillit të Evropës të quajtur PACE në Azerbajxhan, në të cilin ata dorëzuan një raport se zgjedhjet dhe referendumet në vitin 2015 dhe në vitin 2016 ishin të rregullta, për çka disa nga anëtarët e misionit të Nikollovskit në vendet e tyre (Itali dhe Gjermani) u dënuan me nga disa vite burg. Misioni i Nikollovskit u quajt diplomacia kaviar. Ky skandal korruptiv peshonte 2,9 miliardë euro, ndërsa fotografia e Nikollovskit qarkullonte në faqet e para të disa mediave në Evropë.

Funkcioneri i tretë që është zëvendëskryeministër dhe njëkohësisht ministër për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve është Ivan Stoillkoviq. Në fletën e tij anketuese është vërtetuar se nuk ka deklaruar vlerën e tokës që e ka në emrin e tij në Nagoriçan të Vjetër, ndërsa nuk e ka shënuar as pagën e tij, e as të bashkëshortes.

Pas tij në listë është ministri i mbrojtjes Vllado Misajllovski, i cili nuk ka shënuar se sa mjete kanë ai dhe bashkëshortja e tij në llogaritë e tyre transaksionale, si dhe në një llogari tjetër devizore në emër të tij. Krahas kësaj, bashkëshortja e tij ka një kompani në Shkup dhe as për të nuk është deklaruar vlera.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut 2024. Foto: Qeveria
Qeveria e Maqedonisë së Veriut 2024. Foto: Qeveria

I ngjashëm është edhe shembulli i ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovski, i cili nuk ka deklaruar se sa pasuri ka në llogaritë transaksionale, nuk ka deklaruar as depozita me afat të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, si dhe nuk ka deklaruar as pagën e tij dhe as të bashkëshortes.

Interesante është prona e deklaruar e ministres së energjisë, minierave dhe lëndëve të para minerale, Sanja Bozhinovska, e cila ka deklaruar pronë të patundshme por nuk ka shënuar se për çfarë prone bëhet fjalë saktësisht, e për të cilën ka deklaruar se ka një vlerë prej vetëm një denari.

Ajo nuk ka deklaruar se sa para ka në llogarinë e saj, as në llogarinë transaksionale në Çeki, e as edhe në llogaritë devizore në të njëjtin vend, në Spanjë dhe në Portugali. Ajo gjithashtu zotëron edhe një kompani në Republikën Çeke, vlera e së cilës nuk është deklaruar.

Tjetra në radhë është inistrja e financave Gordana Dimitrievska Koçovska e cila nuk e ka deklaruar pagën e saj, e as të bashkëshortit, si dhe as mjetet që i ka bashkëshorti i saj në llogarinë transakcionale. Gjithashtu, bashkëshorti i saj ka një kompani në Shkup dhe as për të nuk është deklaruar vlera.

Edhe ministri i kulturës Zoran Ljutkov gjendet në listën e ministrave që nuk ja plotësisht transparent.

Në rastin e tij ai ka raportuar katër toka ku ka deklaruar se ato të gjitha bashkë kanë një vlerë prej vetëm 35 denarësh.

Po ashtu, ai nuk ka shënuar vlerat e pagës së tij dhe të bashkëshortes, ndërsa nuk është shënuar as edhe se për çfarë shume bëhet fjalë edhe për transferimin e mjeteve të caktuara.

Ministri i shëndetësisë Аrben Taravari  nuk i ka deklaruar pagat e familjes së tij. Në fletën e tij anketuese mund të shihet se nuk është deklaruar paga e tij, si dhe as e gruas dhe djalit të tij.

As ministrat e tjerë nuk mund të mburren për transparencën, për dallim të dy prej tyre. Bëhet fjalë për ministrin e vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, si dhe ministrin e sportit, Borko Ristovski, të cilët e kanë plotësuar siç duhet fletën e tyre anketuese.

Statusi i ministrave të tjerë në Qeverinë aktuale:

  • Igor Fillkov– Nuk e ka shënuar vlerën e pagës së tij dhe të bashkëshortes, mjetet në llogarinë devizore dhe transakcionale në të cilën ka shënuar se ka mjete nga pagat, pra kthimin e mjeteve nga sigurimi shëndetësor privat, si dhe mjetet në llogaritë devizore.
  • Тimço Mucunski – Nuk ka deklaruar se sa mjete kanë ai dhe bashkëshortja e tij në llogaritë transaksionale, si dhe në llogaritë e tyre devizore.
  • Оrhan Murtezani – Nuk i ka shënuar mjetet që i ka në llogaritë transaksionale, si dhe dy llogari kursimi në emër të tij.
  • Besar Durmishi – Nuk e ka deklaruar vlerën e gjashtë tokave, ndërsa për dy ka deklaruar se kanë vlerë prej vetëm 280 denarësh, ndërsa nuk ka deklaruar se sa para merr nga një këshill.
  • Cvetan Tripunovski  – Ai posedon një Mercedes vlera e të cilit nuk është deklaruar, ndërsa nuk ka deklaruar as edhe sa para ka në llogarinë transaksionale dhe në llogarinë e kursimit për fëmijët e tij. Ai nuk e ka deklaruar as pagën që e merr në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave.
  • Vesna Janevska – Nuk ka deklaruar dy paga, një që ajo e merr në Maqedoni dhe një që e merr në valutë në dollarë, ndërsa ka edhe llogari devizore ku ka deklaruar se merr pagë dhe ka edhe trashëgimi, ndërsa bashkëshorti i saj ka edhe kasafortë personale me kursime.
  • Fatmir Limani – Nuk ka deklaruar mjete në llogarinë transakcionale dhe devizore.
  • Stefan Andonovski – Nuk ka deklaruar paga dhe kompensime, si dhe lartësinë e bursës që e pranon.
  • Goran Minçev – Nuk e ka shënuar vlerën e pagës së tij dhe të bashkëshortes, nuk ka deklaruar edhe se sa mjete kanë fëmijët e tij në llogaritë e tyre, bashkëshortja e tij ka edhe llogari devizore në të cilën nuk është deklaruar se sa mjete ka, ndërsa ai dhe fëmijët e tij kanë llogari kursimi me afat për të cilat gjithashtu nuk ka të dhëna për shumat.