Irani tha se bisedimet bërthamore me SHBA-në janë pa kuptim pas sulmeve izraelite

Irani ka deklaruar se bisedimet me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor kanë humbur kuptimin pasi Izraeli filloi dje sulme ajrore, objektivi i të cilave ishin edhe centralet bërthamore. Raundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar për më 16 qershor në Oman, por Irani ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të dërgojë përfaqësues, transmeton Portalb.mk.

“Pala tjetër, SHBA, ka vepruar në mënyrë që i bën bisedimet pa kuptim. Nuk mund të pretendoni se po negocioni, ndërkohë që i lejoni regjimit sionist të sulmojë territorin iranian”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Bagei.

Ai theksoi se Izraeli ka ndikuar në procesin diplomatik dhe se sulmi izraelit nuk do të ndodhte pa lejen e Uashingtonit. Irani më parë e ka akuzuar Amerikën si bashkëpunëtore në sulmet izraelite, një akuzë që është mohuar nga Uashingtoni.

Irani pretendon se pasuron uraniumin vetëm për qëllime civile dhe jo për prodhimin e armëve bërthamore.

Donald Trump deklaroi dje se Iranit i ishin dhënë shumë mundësi për të arritur një marrëveshje dhe se kishte dashur ta shpëtonte atë nga vdekja dhe poshtërimi.

“I dhamë Iranit 60 ditë për të pranuar marrëveshjen dhe ajo kohë skadoi pa nënshkrim. E dinim që do të ndodhte kjo. Nuk jam i sigurt nëse Irani ende ka një program bërthamor pas sulmeve izraelite. Ato ishin goditje shumë shkatërruese”, tha Trump, duke shtuar se bisedimet bërthamore me Iranin ende nuk janë të vdekura.

I pyetur nëse SHBA do të mbështeste Izraelin në rast të një kundërsulmi iranian, Trump tha: “Ne e mbështesim Izraelin. Ne jemi aleati i tij numër një. Do të shohim çfarë do të ndodhë”.