Irani sulmoi bazat ushtarake amerikane në Katar dhe Irak
Katari ka deklaruar se nuk ka viktima në bazën ushtarake amerikane Al Udeid në Doha, pas sulmit të ndërmarrë nga Irani ndaj këtij objekti, raporton Klan. Sipas autoriteteve, mbrojtja ajrore e Katarit ka ndërprerë sulmin me raketa, duke shmangur dëme më të mëdha.
“Jemi të sigurt se mbrojtja ajrore e Katarit e pengoi sulmin dhe i ndërpreu me sukses raketat iraniane”, thuhet në deklaratën zyrtare të Katarit.
Katari e ka cilësuar sulmin iranian ndaj bazës ushtarake amerikane al Udeid si një “shkelje flagrante të sovranitetit të tij”, duke dënuar ashpër veprimin.
Gjithashtu, Katari njoftoi se ruan të drejtën për të reaguar drejtpërdrejt dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Irani raportohet se ka lëshuar raketa jo vetëm në drejtim të bazës amerikane ushtarake në Katar, por edhe asaj në Irak. Lajmi raportohet nga CNN, që citon dy zyrtarë amerikanë. Po sipas CNN, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth bashkë me zyrtarë të tjerë po e ndjekin situatën nga afër.
Një zyrtar i lartë kishte paralajmëruar më herët për kërcënime të mundshme ndaj bazës ajrore amerikane Al Udeid në Katar, më e madhja në Lindjen e Mesme.
Presidenti Donald Trump e vizitoi këtë bazë muajin e kaluar, duke u bërë komandanti i parë i përgjithshëm që e viziton që nga viti 2003.