INRM kërkon shpjegim nga anëtarët e KRRE-së: Kush votoi për të mos hequr taksën prej 200 denarësh?

INRM, me mbështetjen e rreth 2,800 qytetarëve, i paraqiti kërkesë secilit anëtar të KRRE-së për një shpjegim individual të votës për tarifën prej 200 denarësh për qasje në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Shoqata joformale “Inxhinierët e Republikës së Maqedonisë” (INRM), së bashku me rreth 2,800 qytetarë që iu bashkuan iniciativës përmes grupit të bisedave në Facebook të INRM, zyrtarisht u paraqiti kërkesë të gjithë anëtarëve të Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE) për shpjegim individual me shkrim të votës së tyre në lidhje me heqjen e tarifës prej 200 denarësh për qasje në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, transmeton Portalb.mk.

Iniciativa vjen pas vendimit të marrë në seancën e KRRE-së më 27 nëntor 2025, kur Komisioni miratoi Sistemin Tarifor për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike pa fshirë dispozitat që lidhen me këtë tarifë, megjithëse më parë ishte paraqitur vërejtje e mbështetur nga mbi 2,700 qytetarë, me kërkesë të qartë që këto dispozita të hiqen.

Në kërkesën e paraqitur, dërguar secilit anëtar të KRRE-së individualisht, INRM i referohet nenit 12, paragrafi 5 i Statutit të KRRE-së, i cili i lejon secilit anëtar të shpjegojë me shkrim arsyet e votës së tyre. Anëtarëve u kërkohet të tregojnë nëse kanë votuar “pro”, “kundër” ose “abstenuar” për propozimin për heqjen e tarifës, si dhe të japin shpjegim të shkurtër dhe të qartë të arsyeve të vendimit të tyre.

Kërkesa gjithashtu kujton premtimin publik të VMRO-DPMNE se heqja e kësaj takse do të ishte një nga masat e para të qeverisë së re – premtim i bërë nga kryetarja e atëhershme e Komisionit të Energjisë të partisë, dhe tani anëtare e Komisionit Rregullator të Energjetikës, Elena Markova-Velinova. Iniciatorët theksojnë se kjo përfaqëson një detyrim politik dhe moral ndaj qytetarëve që preken drejtpërdrejt nga kjo tarifë.

“Qëllimi i INRM dhe qytetarëve që mbështetën iniciativën është të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në punën e Komisionit Rregullator të Energjisë, veçanërisht në vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në detyrimet financiare të konsumatorëve.

INRM kërkoi që anëtarët e Komisionit Rregullator të Energjisë të dorëzojnë shpjegimet e tyre në adresën [email protected], dhe nëse dëshirojnë, përgjigjet e tyre mund të publikohen në faqen e internetit të Komisionit, në përputhje me Statutin e Komisionit Rregullator të Energjisë”, thuhet në kumtesën e inxhinierëve.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se rryma për amvisëritë do të mbetet e subvencionuar edhe në vitin 2026, por njëkohësisht hap mundësinë për një rritje të vogël të çmimit nga janari, pas tenderit të ri për furnizim me energji elektrike për tregun e rregulluar. Kjo e rikthen frikën te  qytetarët sa do të mund t’i përballojnë buxhetet familjare nëse çmimi i rrymës i afrohet atij të tregut.