Incidenti me zyrtarët e VLEN-it në kufirin me Shqipërinë trazoi edhe një herë politikën shqiptare në rajon
Incidenti me zyrtarët e VLEN-it në kufirin me Shqipërinë ka trazuar skenën politike shqiptare, duke nxitur reagime të shumta nga partitë politike në Maqedoninë e Veriut. Tre zyrtarët e VLEN-it, të pajisur me pasaporta diplomatike, nuk u lejuan të kalojnë kufirin për shkak të problemeve ligjore të një personi që i shoqëronte, pa pasaportë diplomatike, ndërsa më pas ata vendosën të mos vazhdonin udhëtimin si shenjë proteste. Rasti ka sjellë akuza të ndërsjella mes VLEN-it dhe BDI-së, me të parët që kërkojnë sqarime institucionale për vendimin, ndërsa kundërshtarët politikë e kanë përdorur ngjarjen për të ngritur debate mbi legjitimitetin dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.
VLEN pas këtij incidenti tha se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve nuk duhet të reduktohen në interesa të individëve apo grupeve partiake. Ndërkohë, pas mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së partisë, VLEN vlerësoi se shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe rajon u nevojitet më shumë unitet, besim dhe përgjegjësi e përbashkët. Sipas koalicionit, çdo përpjekje për “spiunazh, dezinformim, insinuata politike apo dëmtim të marrëdhënieve ndërshqiptare” është e dëmshme dhe kundër interesave të shqiptarëve.
“BDI, në mungesë të rezultateve dhe vizionit, sërish përpiqet përmes konstrukteve të orkestruara të krijojë mosbesim, insinuata, konfuzion dhe një pasqyrë të shtrembëruar. Kjo nuk është patriotizëm. Kjo është nervozë politike e shndërruar në dëm për interesin e përbashkët të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Partia thekson se e respekton Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si institucion dhe çdo komunikim institucional mes dy shteteve, duke nënvizuar se institucionet janë më të mëdha se politika ditore dhe se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve nuk duhet të reduktohen në interesa të individëve apo grupeve partiake.
VLEN shton se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin institucional me Shqipërinë në interes të shqiptarëve, qytetarëve dhe stabilitetit rajonal, duke theksuar se nuk do të lejojë që interesat politike të individëve të vendosen mbi interesat e shqiptarëve.
“Shqiptarëve u duhet unitet, jo intriga. U duhet bashkëpunim, jo kurthe politike. U duhet e ardhmja, jo politika e vjetër e frikës, përçarjes dhe spiunazhit”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër dje u takua me një përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni në lidhje me rastin.
Kur u pyetën nga “Lokalno” nëse Ministria e Punëve të Jashtme ishte njoftuar për një ndalim hyrjeje të zyrtarëve të vendit në Shqipëri, nga MPJ u përgjigjen se kishin kërkuar informacion në lidhje me ngjarjen nga Ambasada e Shqipërisë në vend.
“Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, me kërkesën tonë, u zhvillua një takim me një përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Në frymën e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, fqinjë dhe aleatë të NATO-s, në takim u kërkua informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare në lidhje me ngjarjen që ndodhi në pikën kufitare të Qafë Thanë, gjatë së cilës shtetasve të vendit tonë nuk u lejua të hynin në Republikën e Shqipërisë”, njoftojnë nga MPJ.
Ndërkohë, gjatë një takimi me studentët në Kampin Rinor në Jalë, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, iu përgjigj pyetjeve lidhur me sulmet dhe kritikat e ditëve të fundit të drejtuara ndaj tij.
Duke folur para studentëve, Meidani tha se sulmet personale nuk e shqetësojnë, pasi sipas tij ato tregojnë më shumë për ata që i bëjnë sesa për personin ndaj të cilit drejtohen.
“Sulmet e disa individëve ndaj meje nuk më shqetësojnë. Flasin më shumë për ta sesa për mua. Kur mungon performanca, kur mungon udhëheqja me dinjitet dhe kur askush prej tyre nuk garanton dot standardet evropiane, akuza mbetet e vetmja gjuhë që dinë të flasin. Unë nuk do të ulem në atë nivel, as kam kohën e ditës t’ua jap”, deklaroi Meidani.
Ai theksoi se do të vazhdojë të qëndrojë pranë të rinjve dhe të punojë për vlerat që, sipas tij, janë themelore për shoqërinë.
“Do të jem këtu, krah jush, përherë. Do të vazhdoj të mbaj lart Nenin 8 të Kushtetutës dhe vlerat themelore që ai sanksionon, të mbroj edukimin dhe boshtin familjar dhe të punoj pa lëkundje për rrugën evropiane. Këto angazhime nuk i tund asnjë sulm; ato maten me punë, me standard dhe me përgjegjësi ndaj qytetarëve”, u shpreh ambasadori.
Në fund të fjalës së tij, Meidani recitoi poezinë e njohur “No Enemies?” të autorit Charles Mackay, duke veçuar vargjet që përcjellin mesazhin se kush angazhohet për detyrën, drejtësinë dhe ndryshimin, në mënyrë të pashmangshme krijon edhe kundërshtarë.
Funksionari i BDI-së, nga ana tjetër, nënkryetari i partisë Arjanit Hoxha, në një postim në Facebook, e lidhi rastin me “karma” për mungesën e legjitimitetit.
“Mandati i deputetit të VLEN-it në Njësinë Zgjedhore 6, i fituar si rezultat i bashkimit të votave në KSHZ nga partitë maqedonase VMRO‑DPMNE dhe SDSM, ishte dëshmia më e qartë për cenimin e legjitimitetit të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvend. Kur përfaqësimi legjitim i shqiptarëve vihet në pikëpyetje, ndërsa mandatin e mban dikush që sot shpallet ‘non grata’ nga shteti amë Shqipëria atëherë mbetet vetëm një përfundim: kushdo që vepron kundër interesave të kombit të vet, herët a vonë përballet me pasojat. Karma”, shkroi Hoxha.
Pas ndalimit mediat raportuan se ndalimi i njërit prej personave lidhet me përfshirjen e supozuar në protestat në Tiranë, të njohura si “Revolucioni Flamingo”, kundër ndërtimit të kompleksit luksoz turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trumpit. Por për këtë nuk ka konfirmim zyrtar. VLEN kërkon përgjigje se kush e ka marrë vendimin, mbi cilën bazë ligjore dhe për cilat arsye konkrete.
Më shumë se dy javë më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama kritikoi organizatorët e protestave në Tiranë, të cilët sipas tij kishin sjellë protestues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ai i quajti pjesëmarrësit “viktima të karavaneve politike”.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj; ata, së bashku me maqedonasit, janë popull shtetformues në vendin e tyre, në vendin fqinj!”, tha Rama, duke shtuar se e njëjta vlen edhe për shqiptarët e Kosovës që kanë shtetin e tyre të pavarur.
Ata që vijnë nga të dy vendet në protestat e Tiranës si “diasporë”, Rama i përshkroi si “ushtarë të verbër” që nuk shtrojnë pyetjen e thjeshtë: a është dikush që i do shqiptarët i shqetësuar apo i lumtur kur sheh atë “diasporë” nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova duke u nisur drejt Tiranës si një “ordë invazive me kuaj me katër rrota”, për të rrëzuar qeverinë shqiptare?
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, deputetin Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe Hasim Murtezanin, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, u ndaluan në pikën kufitare Qafë Thanë, ku ata tentuan të kalojnë kufirin me pasaporta diplomatike. Zyrtarët pretendojnë se janë mbajtur për rreth një orë në pritje, pa marrë sqarime.
Pas një ore, një pjesëtar i policisë kufitare u ka bërë të ditur se tre prej tyre mund të vazhdojnë udhëtimin, ndërsa personi i katërt që ishte me ta nuk lejohej të kalonte. Në shenjë revolte, ata vendosën të kthehen, ndërsa më pas, sipas deklarimeve të tyre, u është komunikuar se kanë ndalesë hyrjeje në Shqipëri.
Ky nuk është rasti i parë kur ndasitë brenda politikës shqiptare në rajon bëhen të dukshme publikisht. Edhe në raste të mëparshme, përfshirë samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Shkup, mënyra e pritjes së liderëve shqiptarë nxori në pah dallimet mes kampeve politike, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit nga përfaqësues të VLEN-it, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Këto zhvillime tregojnë se përtej deklaratave për unitet kombëtar dhe bashkëpunim mes shqiptarëve në rajon, ekzistojnë ende ndarje të thella politike, aleanca të ndryshme dhe qasje të kundërta për ndikimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.
- LEXO: Drejtori i Policisë së Shqipërisë: Zyrtarëve të VLEN-it nuk u është ndaluar të hyjnë në Shqipëri, por vetëm shoqëruesit të tyre
- LEXO: VLEN kërkon sqarime nga Shqipëria: Ndalimi i tre zyrtarëve tanë në Qafë Thanë është i papranueshëm
- LEXO: Një funksionar dhe dy deputetë të VLEN-it u ndalën nga policia gjatë kalimit kufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë