In memoriam për babain tim

Babai im kishte një prezencë hijerëndë por pa zhurmë. Shumë njerëz e kanë njohur dhe kanë pasur respekt për të, veçanërisht sepse gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar arsimit. Ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tetovës por njëherit ishte shumë më shumë se një profesor. Ai profesionin e tij e kishte kuptuar si mision. Qëllimi kryesor i tij ishte t’i bëjë të vetëdijshëm nxënësit për elementet thelbësore të njerëzimit dhe mbi të gjitha të kuptojnë domethënien e vërtetë të fjalës njeri. Ai ishte i aftë që t’i transmetojë edhe pikëpamjet më të komplikuara filozofike përmes një gjuhe të thjeshtë dhe të kuptueshme për secilin. Ai arrinte që çdo ndodhi në jetën e tij dhe në jetën e të tjerëve ta tregojë në atë mënyrë që të mund të nxjerrësh mësim dhe të arrish të dallosh të mirën nga e keqja. Mbi të gjitha, ai ishte njeri që thoshte se esenca e njerëzores është dashuria ndaj kombit dhe patriotizmi.

Për ne që ishim bijat e tij ai nuk ishte vetëm profesori i gjimnazit të cilin e respektonte i gjithë qyteti. Për ne ai ishte babai jonë, heroi jonë, përkrahësi jonë më i madh dhe më këmbëngulës në këtë botë. Ai kishte tri vajza, por nuk na rriti si vajza por na rriti duke na ngulitur në mendje që në moshë të re se ne mund të arrijmë gjithçka që duam nëse do të punojmë me përkushtim. Ai na siguroi që në moshë të re që bota nuk ka kufij të vendosur për gjinitë e ndryshme, që nuk ka profesione e pozita të rezervuara vetëm për meshkujt e nuk ka punë që duhet të bëhen vetëm nga femrat. Ai këtë e bëri duke dhënë shembull personal. Në shtëpinë tonë nuk kishte punë të rezervuara vetëm për nënën. Ai nuk ngurronte të punojë në kuzhinë dhe as të kujdeset për higjienën e tij personale dhe atë të shtëpisë. Ai ishte shembull i një bashkëshorti dhe babai modern dhe përkrahës i flaktë i përparimit dhe jetës së balancuar dhe me kuptim.

Përkrahjen e tij emancipuese që ne e kishim ndjerë që kur ishim bërë të vetëdijshme, ai e kishte treguar kohë më parë, që para se të lind unë. Pasi ishte martuar me nënën time dhe kishin lindur dy motrat e mia, babai ishte kujdesur për to kur ishin në moshë shumë të vogël me qëllim që nëna ime të mund të regjistrohet dhe të vazhdojë shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë. Ajo sigurisht që e kishte shfrytëzuar këtë mundësi që rrallë gruaje i jepej në atë kohë (pra bëhet fjalë për vitet e hershme të 1970) dhe kishte diplomuar në kohë rekorde si studentja më e mirë e gjeneratës së saj. Ajo punoi për shumë vite si mësuese në shkollën fillore “Liria” duke dhënë një kontribut esencial tek formimi i shumë gjeneratave të reja, por rrallë kush e din që pikërisht babai im ishte iniciator i këtij suksesi të madh që preku jetët e shumë njerëzve. Shpesh i thosha nënës time që ka pasur shumë fat që në atë kohë ka pasur një bashkëshort kaq përkrahës që ajo të shkollohet dhe të punojë një punë fisnike gjithë jetën e saj. Ka shumë bashkëshortë që në kohën e sotme nuk janë në gjendje të japin një përkrahje të tillë që gruaja të ketë një mision në jetë dhe të prekë jetën e shumë të tjerëve. Nëna ima pranonte që ka pasur fat në këtë drejtim por më thoshte që fatin njeriu e bën edhe vet duke bërë zgjidhjet e duhura në jetë.

Unë dhe motrat e mia u rritëm në një shtëpi ku kishte gjithmonë debat dhe ku shprehja e mendimit të lirë dhe kundërshtimi i argumentuar ishin përditshmëri. Babai na rriti me frymën që kur dikush është gabim, duke përfshirë këtu edhe veten e tij, duhet t’i thuhet që është gabim dhe të mos veprohet sipas asaj që thotë ai. Ai na rriti në një mjedis pa tabu ku gjithçka mund të bisedohet dhe ku për çdo problem mund të gjendet zgjidhje. Ai na rriti me besimin se vetëm qielli është kufiri për gjërat që duam t’i arrijmë dhe se nuk ekzistojnë tavane të qelqta që nuk mund të tejkalohen. Ai na nguliti në mendje që gjithçka është e arritshme e që çdo punë duhet të bëhet me nder dhe respekt për të tjerët dhe me përkushtim.

I çuditshëm ishte kuptimi i babait tim për paratë. Asnjëherë në jetë nuk kam dëgjuar të ankohet për pagën e tij. Asnjëherë nuk ka thënë një fjalë të vetme për vështirësitë që mund t’i ketë pasur për të shkolluar tre vajza dhe për t’i përkrahur gjer në studimet e doktoraturës kur ato e kanë dëshiruar një gjë të tillë. Më ka bërë përshtypje që sa herë që e merrte pensionin habitej me faktin që merr pension ndërsa nuk është më në punë. I thosha që ky është rezultat i punës së tij dyzetvjeçare që ka bërë. Ai më thoshte që ka pasur nderin që t’i vetëdijësoj gjithë ato gjenerata dhe të punojë që të mbjell tek to dashurinë për kombin dhe dijen, dhe që është kënaqur shumë me punën që ka bërë çdo ditë dhe prandaj i vjen çudi që ka marrë edhe pagesë për atë punë. Për ne të tjerët që jetojmë në një botë të materializmit kapitalist, ky koncept dukej i çuditshëm por besoj që mund të na ndihmojë për të kuptuar se gjërat më të çmuara në jetë, duke përfshirë këtu qetësinë personale, harmoninë familjare dhe kënaqësinë në punën e bërë mirë nuk blihen me para.

Babai ishte shembull i një jete të disiplinuar dhe të balancuar. Mënyra si ai kujdesej për veten e tij, për trupin e për shëndetin e tij ishte diçka që duhej parë me sy për t’u besuar. Mënyra e tij e të jetuarit por edhe vdekja e tij e cila ishte e qetë, pa shumë mundime dhe krejtësisht natyrore, tregoi edhe një herë që ne nuk mund ta caktojmë momentin e vdekjes që është i dhënë, por definitivisht mund të vendosim çfarë jete do të jetojmë dhe me çfarë kualiteti.

Jam shumë falënderuese për gjithë këto vite të kaluara bashkë me një njeri jo të zhurmshëm por me një prezencë që inkurajonte respekt. Jam shumë falënderuese që deri në fund kishim mundësinë të bisedojmë për tema nga më të ndryshmet. Bisedat me të janë ato që do të më munojnë më së shumti pas shkuarjes së tij. Por njëherit jam shumë falënderuese për përkrahjen që kemi marrë nga të gjithë njerëzit që e njihnin e që nga shprehën ngushëllimet për këtë humbje e cila ndjeja që nuk është vetëm humbja jonë por edhe e shumë të tjerëve jeta e të cilëve ishte prekur nga ai. Të gjithë që na vizituan e na vizitojnë e na kontaktojnë në mënyra të ndryshme për të shprehur ngushëllimet na bënë të kujtojmë veprimtarinë e të dy prindërve tanë dhe të jemi krenare për ta.

Mbi të gjitha jam shumë falënderuese që të gjitha ishim rreth tij në shtratin e vdekjes. Nëna ime që nuk e donte largësinë, duke qenë gjithmonë e përmalluar për motrat e saj, tmerrohej nga mendimi se mund të shpërngulemi të jetojmë në vende të tjera. Por atë natë aty në dhomën e spitalit, kur babai na kishte të trija afër dhe kur nipat dhe mbesa e tij e qanin largimin e tij nga kjo botë, e kuptova më së miri atë që nëna jonë kishte dashur ta arrinte me çdo kusht. Sepse në kohët e sotme është vërtet vështirë që të arrihet që të gjithë njerëzit e dashur të jenë në të njëjtën dhomë dhe të ndajnë bashkë dhimbjen por edhe kujtimet për një jetë të thjeshtë dhe modeste, por me shumë kuptim.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, babë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.