Ibër Deari u shpall regjisori më i mirë në Tirana International Film Festival

Regjisori Ibër Deari është shpërblyer me çmimin “Regjisori më i Mirë” në edicionin e 23-të të Tirana International Film Festival (TIFF), për filmin e tij më të fundit “Krejt e thirrin Rexhën” një prodhim nga Maqedonia e Veriut me metrazh të gjatë prej 126 minutash, shkruan Portalb.mk.

Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” u vlerësua nga juria për mënyrën se si, përmes regjisurës së sofistikuar, arrin të ndërthurë komedinë me dramën, duke trajtuar me ndjeshmëri sfidat e një familjeje shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe duke sjellë tema universale përmes një lenteje autentike artistike.

Në një postim falënderues, Deari shprehu gëzimin e tij për këtë vlerësim dhe mirënjohjen ndaj drejtorit të festivalit, Agron Domi, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj kinemasë shqiptare. Ai falënderoi gjithashtu ekipin organizues, publikun tiranas për mikpritjen e ngrohtë, si dhe jurinë e festivalit për çmimin e dhënë.

“Tirana Film Fest ka qenë gjithmonë një shtëpi e dytë për mua, që nga filmat studentor e deri te ky projekt më i fundit. Jam shumë mirënjohës që ekziston një festival i tillë që i jep hapësirë dhe vlerë filmit tonë”, u shpreh Deari.

Ai dha edhe një falënderim të veçantë për miqtë dhe bashkëpunëtorët që e kanë mbështetur gjatë rrugës së krijimit të filmit, përfshirë Kela Mezinin, Erjona Imeraliaj, si dhe Andamion Murataj, Majlinda Tafa dhe Ilir Butka.