I dyshuari i dytë për vrasjen në “Mavrovasja” u paraqit vetë në polici

I dyshuari i dytë për rastin e vrasjes së djeshme afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup, i cili ishte në arrati dhe të cilin po e kërkonte policia, sonte është paraqitur vetë në stacionin policor, këtë e konfirmuan për 360 Gradë nga Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve, personi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është denoncuar vetë në komisariatin e policisë “Prolet”.

Ministria e Brendshme tha se do të japin informata shtesë se çfarë do të rezultojë nga procedura me të dyshuarin e dytë.

Gjykata Themelore Penale në Shkup sot e pranoi propozimin e Prokurorisë dhe i caktoi masën e paraburgimit 39-vjeçarit E.K., i dyshuar për vrasjen e V. E. e cila ndodhi dje në parkingun pas qendrës tregtare “Mavrovasja” në qendër të Shkupit.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria dhe Ministria e Brendshme dolën me detaje lidhur me vrasjen e djeshme.

MPB-ja njoftoi se SPB Shkup ka zbardhur plotësisht veprat penale “vrasje” dhe “vrasje e mbetur në tentativë”. Për personin e dytë që u privua nga liria ditën e djeshme nuk është konstatuar asnjë lidhje me ngjarjen dhe është lënë i lirë.

Njëkohësisht, Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftoi se i dyshuari me paramendim dhe për përfitim i ka marrë jetën një personi, pas së cilës gruas së viktimës i ka marrë një çantë me laptop dhe është arratisur.

Vrasja ndodhi më 20 gusht 2024 pas qendrës tregtare “Mavrovasja” në qendër të Shkupit.