Hristovi dhe Jonuzi u zgjodhën hulumtuesit e rinj nga Komisioni i letrave me vlerë

Komisioni i letrave me vlerë (KLV) sot ndau Çmimet vjetore për hulumtues të rinj për vitin 2026, të cilat jepen për herë të shtatë në kuadër të Konkursit për punimet më të mira shkencore-kërkimore nga fusha e tregut të kapitalit, raporton MIA.

Fitues i çmimit të parë është autori Goran Hristovski për punimin me titull “Ndërlidhja dinamike e tregjeve të kapitalit në Evropën Lindore: një qasje e zgjeruar e ndërlidhjes së përbashkët”. Punimi, siç informojnë nga KLV, fokusohet në lidhjet e ndërsjella dhe dinamikën e tregjeve në Evropën Lindore, duke ofruar një qasje bashkëkohore analitike për një kuptim më të mirë të transmetimit të lëvizjeve dhe rreziqeve ndërmjet tregjeve rajonale.

Çmimi i dytë iu nda Florenta Jonuzit për punimin “Dinamika e paqëndrueshmërisë dhe përcaktuesit makroekonomikë të kthimeve në tregun e aksioneve”. Hulumtimi fokusohet në ndikimin e faktorëve makroekonomikë mbi lëvizjet e kthimeve dhe paqëndrueshmërisë në tregun e aksioneve, duke ofruar njohuri të rëndësishme për sjelljen e tregut dhe trendet e investimeve.

Autorit të punimit të renditur në vend të parë iu nda një shpërblim monetar në shumën neto prej 90.000 denarë, ndërsa për punimin e renditur në vend të dytë u dha një shpërblim monetar në shumën neto prej 50.000 denarë.

Me rastin e ndarjes së çmimeve u mbajt një takim me autorët e shpërblyer, në të cilin, sipas njoftimeve, morën pjesë edhe kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë, Bujare Abazi, si dhe kryetarja e Bordit për vlerësimin dhe përzgjedhjen e punimeve, Merale Fetahi Vehapi.

Që nga themelimi i Konkursit në vitin 2018, Komisioni i Letrave me Vlerë ka mbështetur vazhdimisht studiuesit e rinj dhe idetë e tyre, duke njohur kontributin e tyre në avancimin e njohurive për tregun e kapitalit.