Hezbollah: Përshkallëzimi i luftës në Liban varet nga përshkallëzimi në Gazë

Udhëheqësi i grupit militant Hezbollah, Sayyed Hassan Nasrallah paralajmëroi të premten se zgjerimi i konfliktit në Lindje të Mesme është një mundësi reale, transmeton Zëri i Amerikës.

Në fjalimin e tij të parë sot, që pas fillimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, ai tha se përshkallëzimi i mëtejshëm mes Hezbollahut dhe Izraelit, varet nga lufta në Rripin e Gazës.

Ai fajësoi Shtetet e Bashkuara për luftën në Gazë dhe numrin e lartë të viktimave civile dhe tha se ulja e tensioneve në Rripin e Gazës është qenësore për parandalimin e një lufte rajonale.

Hezbollahu, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, mbështetet nga Irani. Që kur ka filluar lufta e Izraelit ndaj Hamasit, Hezbollahu ka përshkallëzuar sulmet ndaj forcave izraelite, duke detyruar Izraelin të mbajë forca në veri, në kufi me Libanin, dhe të mos i dërgojë ato në jug, në Rripin e Gazës.

Shtëpia e Bardhë tha sot se Hezbollahu nuk duhet të shfrytëzojë konfliktin në Izrael.

“Shtetet e Bashkuara nuk duan që konflikti të zgjerohet në Liban,” tha një zëdhënës.

Izraeli më 22 tetor nisi sulme të reja ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor, kurse një ditë më pas ushtria e Libanit deklaroi se hodhi gaz lotsjellës ndaj ushtarëve izraelitë në përgjigje të sulmit.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë zhvilluar një luftë shkatërruese më 2006, pasi Hezbollahu kapi dy ushtarë izraelitë.

Ndërkaq, zyrtari palestinez Ashraf al-Qudra deklaroi se në sulmet izraelite që nga 7 tetori e deri më tani numri i të vrarëve në Gaza ka arritur në 9.227 persona, përfshirë 3.826 fëmijë, 2.405 gra si dhe janë plagosur të paktën 23.516 persona.

Duke bërë të ditur se ka ende njerëz nën rrënojat e ndërtesave të shembura në sulmet izraelite, Al-Qudra tha se në njësinë për personat e zhdukur janë bërë raportime për 2.100 persona, përfshirë 1.200 fëmijë.

Al-Qudra njoftoi se vazhdojnë sulmet e Izraelit drejt sistemit shëndetësor, duke shtuar se deri më sot janë vrarë 136 punonjës të shëndetësisë dhe se 25 ambulanca janë jashtë shërbimi.