Hetim për dy persona nën dyshimet se kanë dëmtuar për 35 milionë denarë Fondin Shëndetësor rreth pushimit të shtatzënisë

Prokuroria në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar paraburgim për dy persona të dyshuar për keqpërdorime të ndryshme, duke shkaktuar dëme në buxhetin e Fondit për Sigurim Shëndetësor. Dyshohet se ata kanë krijuar 28 raste fiktive, transmeton Portalb.mk.

“Pas procedurave hetimore disamujore nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sot në orët e para të mëngjes, Drejtoria për Polici Financiare realizoi bastisje nën emrin e koduar “Gjitari” në territorin e Komunës së Prilepit”, deklarojnë nga Prokuroria Themelore Publike.

Hetimet janë ndaj personave fizik dhe juridik, duke ekzistuar bazë për veprat penale, si shpëlarje të parave, duke shkaktuar dëme të Fondi për Siguri Shëndetësore në vlerë prej 35 551 472 denarë.

I dyshuari i parë, së bashku me anëtarët e familjes, përmes subjektit juridik të tyre kanë përfituar kundërligjshëm nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, duke keqpërdorur të drejtën e pushimit të lehonisë.

Ata dyshohet se mashtrime të tilla kanë kryer në periudhën prej shtatorit të vitit 2020 deri në tetor të vitit 2023, duke krijuar 28 raste të tilla.