Hetim dhe paraburgim për të dyshuarin e arratisur që tentoi të vriste kryetarin e Komunës së Haraçinës

Për shkak të dyshimit të bazuar për vepër penale – Vrasje, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër një 36 vjeçari -banor i Haraçinës, transmeton Portalb.mk.

“Ai dyshohet se më 1 prill ka tentuar të vrasë me dashje kryetarin e asaj komune dhe ka vënë në rrezik jetën e disa personave të tjerë. Përderisa kryetari i komunës me bashkëpunëtorët e Komunës së Haraçinës dhe punonjësit e një kompanie kontraktuese ishin duke i kontrolluar punët ndërtimore, i dyshuari ka ardhur me motoçikletë, ka parkuar dhe i është afruar grupit të njerëzve me një automatik në duar. Ai filloi të qëllonte mbi kryetarin e komunës dhe goditi me disa predha dy persona në afërsi të tij”, thonë nga Prokuroria.

Duke pasur parasysh se i dyshuari për kryerjen e veprës penale nuk është në dispozicion të organeve të rendit, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit i cili nëse përcaktohet do të fillojë të zbatohet efektivisht nga gjetja dhe privimi i tij nga liria. Njëkohësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme janë lëshuar urdhra përkatës për gjetjen e të dyshuarit.

Ndryshe Ministria e Punëve të Bredshme më 17 korrik tha se SPB Shkup ka zbardhur ngjarjen penale të datës 01.04.2024 në fshatin Haraçinë.

“Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, zyrtarë policorë nga Njësia për Krime të Dhunshme – Reparti për kundërvajtje për gjak dhe seksuale në SPB Shkup, në koordinim me PThP Shkup, kanë ndërmarrë veprime të shumta operative taktike dhe hetimore, gjatë të cilave është konstatuar identiteti i kryesit. Pas kompletimit të plotë të materialeve zyrtare dhe raporteve të kryera të ekspertizës, me datë 16.07.2024, në PThP Shkup është paraqitur kallëzim penal kundër M.A. (36) për veprën e kryer “vrasje e mbetur në tentativë”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të KP”, thanë nga MPB.

Incidenti ndodhi pasditën e 1 prillit në komunën e Haraçinës në Shkup, ku shënjestër e të shtënave me armë ishte kryetari i komunës. Sipas informacioneve të MPB-së, sulmi kishte ndodhur teksa kryetari i Komunës ka qenë duke ecur jashtë.

Kryetari i Haraçinës disa herë paraprakisht është kërcënuar. Madje, me nga data 25.05 2023, administrata e Komunës së Haraçinës nuk punontedhe atëkohë u tha se kjo situatë do të zgjasë.

“Ky vendim ka ardhur pasi dje kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi u kërcënua me jetë nga një 69-vjeçar dhe disa raste më parë ku ka pasur kërcënime”, pati njoftuar Komuna atëkohë.