Dy të plagosur në incidentin me armë në Haraçinë, në shënjestër ka qenë kryetari i Komunës

Një incident ka ndodhur pasditen e sotme në komunën e Haraçinës në Shkup, ku shënjestër e të shtënave me armë ka qenë kryetari i komunës. Sipas informacioneve të MPB-së, sulmi ka ndodhur teksa kryetari i Komunës ka qenë duke ecur jashtë. Raportohet se dy persona janë plagosur. Policia për Portalb.mk, konfirmoi rastin, por, siç tha zëdhënësi, detaje do të dërgojnë më vonë.

“Sot në ora 13:25 në SPB Shkup është raportuar që në hyrje të fshatit Haraçinë, një person mashkull me pushkë automatike ka gjuajtur kah kryetari i Komunës së Haraçinës R.I., i cili ishte së bashku me disa persona. Aty të lënduar ngelën dy persona që ishin së bashku me kryetarin”, deklarojnë nga Policia, duke shtuar se po punohet për zbardhjen e rastit.

Policia theksoi që kryetari nuk është i lënduar, ndërsa nuk janë të vërteta edhe spekulimet se ka të lënduar edhe punonjës të policisë.

“Në lidhje me ngjarjen në Haraçinë, prokurori publik në detyrë nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kryer kontrolle në vendin e ngjarjes, ka dhënë urdhër për mbledhjen e gjurmëve dhe kryerjen e ekspertizës përkatëse”, njoftojnë nga Prokuroria, duke shtuar që është dhënë urdhër edhe për sigurimin e pamjeve nga kamerat që gjenden në objektet afër vendit të ngjarjes.

Shoferi i kryetarit të Komunës së Haraçinës është lënduar rëndë.

Për shkak të urgjencës ai është shtruar në sallën e operacionit në Qendrën Klinike Nënë Tereza, por për momentin nuk ka të dhëna për gjendjen e tij shëndetësore.

“Ai ka plagë me armë zjarri në gjoks”. Bëhet fjalë për një djalë të moshës rreth 30-vjeçare”, thotë në një bisedë për Telma Nexhati Jakupi, drejtor i Klinikës për Kirurgji Torakale në Qendrën Klinike në Shkup.

Të shtënat me armë në drejtim të Ibraimit kanë ardhur nga një veturë në lëvizje, ndërsa është shkaktuar panik e kaos në rrugën kryesore para sheshit të Haraçinës.

Policë të shumtë ka në vendngjarje, ndërsa janë bllokuar hyrje-daljet e Haraçinës.