Heshtje institucionale për abuzimin e së miturës në Likovë, Mollëkuqja akuzon për dështim shtetëror
Pavarësisht interesimit të madh të opinionit publik dhe reagimeve të shumta, institucionet ende nuk kanë dhënë informacione konkrete lidhur me rastin e abuzimit seksual dhe shantazhit ndaj 16 vjeçares nga fshati Sllupçan i Komunës së Likovës nga disa burra. Ndërkohë, Prokuroria Publike në Kumanovë u bëri apel palëve që nuk janë të përfshira në rast që të respektojnë privatësinë e së miturës, me qëllim që hetimi të vijojë në mënyrë efikase, raporton Portalb.mk.
Nga Prokuroria Publike bëjnë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme vepron sipas urdhrave të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës dhe se aktualisht po ndërmerren veprime për sigurimin e provave.
“Në këtë moment, Prokuroria nuk është në gjendje të ndajë detaje lidhur me veprimet që po ndërmerren”, thanë nga Prokuroria Publike.
Deklaratë të ngjashme dhanë për Portalb.mk edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke theksuar se në interes të hetimit nuk mund të ndajnë informacione shtesë.
“Ministria e Punëve të Brendshme vepron sipas urdhrave të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës dhe ndërmerr veprime për sigurimin e provave. Në këtë moment, në interes të hetimit, MPB-ja nuk është në gjendje të ndajë detaje lidhur me veprimet që po ndërmerren”, thanë nga MPB.
Nga Qendra për Mundësi të Barabarta ‘Mollëkuqja’ reaguan për rastin duke thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për ‘dështim institucional’, por ky rast është mesazh i qartë se shteti nuk e ka prioritet mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
“Ajo u dhunua me muaj dhe tani po përballet me një sistem që nuk e mbron, nuk e merr seriozisht dhe nuk vepron. Kjo është dhunë e dytë, e ushtruar nga institucionet që duhej ta mbronin. Mollëkuqja kërkon përgjegjësi dhe shkarkim për të gjithë ata që nuk kanë vepruar në kohë. Kërkojmë nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të hapë hetim të brendshëm për dështimin e SPB-Kumanovë dhe të ndërmarrë masa urgjente. Gjithashtu, kërkojmë që rasti t’i merret Prokurorisë së Kumanovës dhe t’i kalojë Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion”, thanë nga Mollëkuqja.
16 vjeçarja nga fshati Sllupçan i Komunës së Likovës dyshohet se është abuzuar me muaj të tërë nga disa persona për favore seksuale dhe financiare.
Rasti është denoncuar më 2 janar në Stacionin Policor të Kumanovës nga prindi i së miturës. Sipas denoncimit, e mitura dyshohet se është zhvatur, kushtëzuar dhe shantazhuar, pasi një nga të dyshuarit posedonte fotografi eksplicite të saj dhe e kërcënonte se do t’i publikonte nëse nuk i jepte para. Aktit dyshohet se i janë bashkuar edhe persona të tjerë, përfshirë një familjar i afërt i viktimës.
Më pas, Policia e Kumanovës nisi hetimet për abuzimin seksual të së miturës dhe cenimin me materiale intime. Më 2 janar policia ka arrestuar 31 vjeçarin me iniciale N.A. nga Sllupçani, ndërsa pesë persona u morën në bisedë informative. Dy prej tyre dyshohen për kushtëzim, ndërsa të tjerët për abuzim seksual. Hetimet janë zgjeruar dhe vazhdojnë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht të gjithë të përfshirët.
Ndërkohë, dje Prokuroria Publike në Kumanovë u bëri thirrje të gjitha palëve që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në rast të përmbahen nga komentet publike dhe të respektojnë dhimbjen dhe gjendjen emocionale të së miturës, me qëllim që hetimi të zhvillohet në mënyrë të qetë, efikase dhe të drejtë.
- LEXO: Mbi 15 persona të dyshuar rreth abuzimit seksual dhe shantazhit ndaj të miturës në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Rriten rastet e paraqitjes së dhunës në familje dhe dhunës seksuale në Pollog, të prekura edhe vajzat e mitura
- LEXO: Acevski: Masat për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe asaj familjare në RMV nuk janë mjaft efektive