Acevski: Masat për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe asaj familjare në RMV nuk janë mjaft efektive 

Përfundimi i Raportit Final të Revizionit për zbatimin e Konventës së Stambollit tregon se masat e ndërmarra për mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje në vend nuk janë mjaft efektive, transmeton Portalb.mk

Këtë e bëri të ditur revizori shtetëror Maksim Acevski pas publikimit  të Raportit Final të Revizionit “Zbatimi i Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit)”.

“Sipas vetë përfundimit të raportit të revizionit, mund të vëreni se përfundimi është negativ, pra masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga shteti për mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje nuk janë mjaft efektive. Prandaj, duhet të merren masa shtesë për rritjen e efektivitetit të tyre”, tha Acevski.

Sipas Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe ajo me Bazë Gjinore 2018–2023, nga 52 aktivitetet e parapara, 48 përqind janë zbatuar, 32 përqind nuk janë realizuar, ndërsa 18 përqind janë zbatuar pjesërisht.

“Kjo tregon se ka presione në aspektin e burimeve njerëzore në qendrat për punë sociale, mungesë të mbulimit territorial me strehimore dhe sfida në bashkëpunimin me sektorin joqeveritar”, shtoi Acevski.

Ai kujtoi se Konventa e Stambollit është miratuar në vitin 2011, është ratifikuar në vitin 2017, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal janë bërë në vitin 2023.

Sipas të dhënave, në vend janë regjistruar rreth 6.282 raste të dhunës me bazë gjinore dhe familjare.

Ndryshe, sipas Kombeve të Bashkuara, përafërsisht çdo dhjetë minuta, një grua ose vajzë bie viktimë e dhunës vdekjeprurëse brenda një marrëdhënieje ose familjes. Vitin e kaluar, rreth 83.000 gra në mbarë botën u vranë.