Hera: 23,7% e të rinjve në RMV as nuk studiojnë dhe as nuk punojnë, detyrohen të kërkojnë perspektiva jashtë vendit
Me rastin e 12 gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë dhe në pritje të zgjedhjeve të ardhshme lokale, Shoqata Hera bën thirrje për të gjithë kandidatët për kryetarë komune dhe këshilltarë që të përgatisin programet e tyre zgjedhore në konsultim dhe dialog të drejtpërdrejtë me të rinjtë. Ata kërkojmë hapa konkretë për të përmirësuar kushtet e jetesës së të rinjve, jo mbështetje deklarative. Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut shtojnë ata ende jetojnë në një realitet të mbushur me sfida sistemike, mundësi të kufizuara dhe një të ardhme të pasigurt. Nga papunësia e lartë, arsimi me cilësi të dobët, mungesa e shërbimeve shëndetësore miqësore për të rinjtë, deri te mbështetja e dobët institucionale dhe mungesa e hapësirave publike të sigurta, korrupsioni, të rinjtë detyrohen të kërkojnë perspektiva jashtë vendit të tyre, transmeton Portalb.mk.
“Sipas të dhënave zyrtare, 23.7% e të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç janë NEET – as në arsim, as në punësim dhe as në trajnim, që është shumë mbi mesataren evropiane dhe një sinjal serioz i neglizhencës sistemike për këtë brez. Të dhënat nga Strategjia e fundit Kombëtare e Rinisë 2023–2027 tregojnë se të rinjtë në vend përballen me qasje të kufizuar në shërbime, nivele të ulëta pjesëmarrjeje në jetën publike dhe mosbesim në institucione – më shumë se dy të tretat e të rinjve besojnë se nuk janë të përfshirë në mënyrë adekuate në procesin e vendimmarrjes dhe deri në 70% e të rinjve nuk janë të interesuar në politikë. Studimi mbi pjesëmarrjen socio-politike të të rinjve në Maqedoninë e Veriut konfirmon se gjysma e të rinjve (51.4%) besojnë se autoritetet nuk interesohen fare për nevojat dhe problemet e tyre, dhe vetëm 1.1% besojnë se autoritetet interesohen plotësisht për nevojat dhe problemet e tyre. Tre të katërtat e të rinjve (73.7%) nuk janë përfshirë ose konsultuar nga institucionet lokale ose kombëtare në vendimmarrje. Gjithashtu shqetësues është fakti se 74.4% e të rinjve nuk i përkasin asnjë organizate ose forme tjetër organizimi”, thonë nga HERA.
Edhe pse Ligji për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, shtojnë ata ka qenë në fuqi që nga viti 2020, zbatimi i tij në nivel lokal është minimal – vetëm 19 komuna kanë krijuar një këshill rinor lokal, dhe strategjitë lokale rinore janë miratuar vetëm në 7 komuna. Ndërkohë, një numër i madh i të rinjve përballen me mungesë të hapësirave publike, izolim kulturor dhe mungesë të arsimit dhe mentorimit informal.
Situata me shëndetin mendor është po aq alarmante – deri në 64% e vajzave të moshës 15 vjeç përjetojnë dy ose më shumë ankesa psikosomatike një herë në javë, dhe deri në 53% e të njëjtit grup kanë një humor depresiv. Dhuna është gjithashtu në rritje, dhe nevojiten Programe për Promovimin e Shëndetit Mendor të Fëmijëve dhe të Rinjve.
Në pritje të zgjedhjeve të ardhshme lokale, HERA e përdor këtë ditë si thirrje për të gjithë kandidatët për kryetarë komune dhe këshilltarë që të përgatisin programet e tyre zgjedhore në konsultim dhe dialog të drejtpërdrejtë me të rinjtë. Ata kërkojmë hapa konkretë për të përmirësuar kushtet e jetesës së të rinjve, jo mbështetje deklarative. Konkretisht:
- Krijimin e këshillave funksionale rinore në secilën komunë, me kompetencë të qartë, procedurë transparente përzgjedhjeje dhe ndikim të vërtetë në politikat dhe buxhetet lokale.
- Futjen e një linje të veçantë buxhetore për politikat dhe programet rinore, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të të rinjve në krijimin dhe monitorimin e shpenzimeve.
- Sigurimi i hapësirave publike të arritshme, falas dhe të sigurta për iniciativat rinore, qendrat rinore (shëndeti seksual dhe riprodhues, shëndeti mendor, shprehja krijuese, zhvillimi i nënkulturave) veçanërisht në komunat më të vogla dhe zonat rurale.
- Mbështetje për punësimin e të rinjve përmes zhvillimit të programeve lokale të vetëpunësimit, qendrave të mentorimit, qendrave të inovacionit dhe subvencioneve për sipërmarrësit e rinj.
- Prezantimi i shërbimeve lokale të shëndetit mendor – psikologë, punonjës socialë dhe ekipe mobile në dispozicion të të rinjve.
- Inkurajimi i bashkëpunimit me organizatat rinore për arsim joformal, shëndet seksual dhe riprodhues dhe programe kulturore.
- Përfshirja e të rinjve në përgatitjen dhe zbatimin e të gjitha strategjive lokale të zhvillimit.
“Largimi i të rinjve nga vendi nuk do të zgjidhet me fushata dhe thirrje për patriotizëm dhe lindjen e fëmijëve. Do të zgjidhet me investime konkrete, të matshme dhe afatgjata në potencialin dhe kushtet e tyre të jetesës.
Qeverisja lokale është linja e parë e kontaktit me të rinjtë në vend dhe është aty ku duhet të fillojnë ndryshimet e vërteta.
U bëjmë thirrje institucioneve, politikanëve, medias dhe shoqërisë civile që t’i trajtojnë të rinjtë jo si një grup margjinal për llogaridhënie, por si partnerë të barabartë në vendimmarrje dhe krijimin e së ardhmes. Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja. Të rinjtë janë nxitësit e ndryshimit – këtu dhe tani”, thuhet në thirrje.
Kujtojmë se në dekadën e fundit, një numër në rritje i studentëve nga Maqedonia kanë kërkuar mundësi arsimimi përtej kufijve të vendit. Përballë sfidave në përmbushjen e aspiratave të tyre akademike, shumë prej tyre tërhiqen nga institucionet jashtë vendit, ku ata kanë kurrikula më të avancuara, kushte moderne për mësim dhe perspektiva më të mëdha profesionale. Ky trend, megjithatë, vë në pah probleme më të thella, sistemore brenda sistemit të arsimit të lartë të Maqedonisë së Veriut, dhe përderisa numri i studentëve që largohen vazhdon të rritet, shtrohen pyetje të thella në lidhje me kapacitetin e institucioneve akademike të vendit për të mbajtur talentët e ri dhe për të nxitur një mjedis të favorshëm për inovacion dhe përparim.
Sipas një studimi të Fondacionit Westminster për Demokraci, Maqedonia e Veriut investon midis 116 dhe 433 milionë euro në vit në arsimimin dhe trajnimin e të rinjve, të cilët më pas largohen nga vendi. Në 30 vitet e fundit, ka pasur një reduktim prej 10% të popullsisë së vendit për shkak të emigrimit të konsiderueshëm të studentëve me aftësi të larta. Dhe vështirë se mund të ndalojë rritja e këtij numri.