Gjyqësori në RMV: Orendi nga Jugosllavia, regjistrime në CD dhe staf i përgjysmuar (Infografik)
Gjykatë e vendosur në një ndërtesë banimi, zyra të shndërruara në salla gjykimi, gjykata të vendosura në ndërtesa në të cilët janë të vendosura edhe tre institucione të tjera shtetërore, qilima dhe orendi 40-vjeçare dhe seanca që regjistrohen në CD, shkruan Prizma. Nëse kësaj ia shtojmë edhe numrin e përgjysmuar të gjykatësve në 363, nga mbi 600 të nevojshëm, si dhe mungesën e nëpunësve gjyqësorë dhe administrativë, përfundimi është se gjyqësori në Maqedoni duhet për të mbijetuar të improvizojë, transmeton Portalb.mk.
Fluksi i lëndëve është në rritje, ndërsa koha mesatare për zgjidhjen e lëndëve në disa gjykata matet me vite.
Kundrejt deklaratave të Kryeministrit Hristijan Mickoski se përqindja e ndarë për gjyqësorin nga buxheti i brendshëm është më e lartë se në disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës, statistikat tregojnë se shuma reale është ndër më të ulëtat.
Gjykata në një ndërtesë banimi
Pamja më ilustruese e gjendjes së gjyqësorit në Maqedoni është Gjykata e Lartë Administrative. Kjo gjykatë vendos për ankesat në raste të ndjeshme të kujdesit për personin e tretë, barnave, denacionalizimit, por edhe tenderëve dhe doganave.
Që nga themelimi i saj në vitin 2011 gjykata është vendosur në një ndërtesë banimi.
“Ata janë këtu, por nuk e di nëse punojnë” u përgjigj një kalimtar i rastit kur u pyet nëse e dinte se në atë ndërtesë ka gjykatë.
Kërkuam leje për të hyrë në ndërtesë. Kryetarja e gjykatës, Lidija Georgievska, konfirmoi se kushtet janë të papërshtatshme, por tha që të dëgjohemi pas disa ditësh. Pas disa ditësh ajo na tha se ishin në bisedime për ta ndryshuar vendndodhjen dhe ne duhej t’i lejonim ta “përfundonin procesin”.
Në ndërtesë nuk ka sallë klasike gjykimi. “Seancat publike caktohen dhe mbahen në zyrën e kryetarit të gjykatës”, thuhet në raportin e Gjykatës së Lartë mbi gjendjen nëpër gjykata në vitin 2024.
Gjykatësit punojnë në hapësira të vogla, nga dy në një hapësirë. Hapësira e destinuar për mbledhje është në fakt një zyrë regjistrimesh ku punojnë pesë nëpunës gjyqësor. Vitin e kaluar, kjo gjykatë ruhej vetëm nga një polic gjyqësor.
Problem edhe më i madh se kushtet hapësinore është numri i gjykatësve. Nga 13 të planifikuarit, vitin e kaluar kanë punuar vetëm gjashtë gjykatës. Njëri prej tyre është kryetari. Këto janë edhe arsyet se pse gjykata nuk ka qenë në gjendje ta përballojë fluksin e lëndëve dhe për këtë arsye është vlerësuar si një gjykatë joazhurne. Mesatarisht kësaj gjykate i janë dashur 943 ditë, ose afërsisht dy vjet e gjysmë, për të vendosur për një lëndë.
Në një kohë kur gjykatat evropiane po përfshijnë gjithnjë e më shumë segmente të reja të digjitalizimit, Gjykata e Lartë Administrative dhe Gjykata Administrative nuk ishin të lidhura elektronikisht me njëra-tjetrën. Kjo u realizuar tek më 10 dhjetor të këtij viti me prezantimin e softuerit “EPUS”.
Mirëpo, gjykatat e tjera nuk janë të lidhura në mënyrë digjitale me njëra-tjetrën.
Edhe gjykata edhe DAP-i edhe Prokuroria edhe Kadastra
Në gjykatën e Kratovës, duhet të zëvendësohen dyert e vjetruara prej druri, duhet të rregullohet arkivi që mbahet në bodrum, i cili është i lagësht dhe duhet të rinovohen elementet hidrosanitare. Mobiljet ekzistuese janë 40 vjeçare. Gjykata ka vetëm një automjet nga 36 vjet më parë, është vazhdimisht në gjendje jo të rregullt, nuk ka ajër të kondicionuar dhe ngrohje, ndërsa servisimi është i kushtueshëm.
Kur noterët të dalin në pension, arkivi i noterisë duhet të transferohet në gjykatë. Megjithatë, në gjykatën civile në Shkup, si e dyta për nga numri i lëndëve në vend, “nuk ka hapësirë të disponueshme për ta marrë për ruajtje arkivin e noterisë”.
Nuk ka hapësirë as për lëndët aktuale dhe të zgjidhura, sepse të gjitha lëndët mbahen në letër. Në gjykatën e Berovës duhet të rinovohet ndërtesa. Në gjykatën e Dellçevës, nga ana tjetër, zyra e prokurorisë publike është në të njëjtën ndërtesë. Ngjashëm është edhe në Gjevgjeli dhe Tetovë… Në ndërtesën e gjykatës në Radovish është e vendosur edhe Prokuroria, DAP-i dhe Kadastra.
Nëse gjykata e Koçanit nuk do të kishte pasur vetëm pesë gjykatës dhe do të kishte një sallë gjykimi më të madhe, lënda për diskotekën “Puls” me siguri do të ishte gjykuar në qytetin ku ndodhi tragjedia. Gjykata ka vetëm pesë gjykatës, gjysma e numrit të paraparë. Për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm te sallave të gjykimit, gjykatësit i mbajnë shumicën e lëndëve civile në zyrat e tyre. Nuk ka hapësirë për nëpunësit dhe avokatët, ndërsa hapësira e arkivit është e pamjaftueshme për ta vendosur arkivin.
Në ndërtesën e ndërtuar në vitin 1968 është e vendosur jo vetëm gjykata, por edhe dy institucione të tjera: prokuroria e Koçanit dhe avokatura shtetërore.
Nga ana tjetër, Gjykata e Gostivarit nuk ka ashensor dhe është e pamundur qasja për qytetarët me aftësi të kufizuara, ndërsa salla e gjykimit dhe salla ku mbahen serverat duhet të rinovohen.
Në Gjykatën e Tetovës edhe pse janë bërë investime në fasadë dhe çati, sërish ka probleme me ngrohjen për shkak të instalimit të vjetruar. Detektori i metaleve nuk funksionon, ndërsa rrjeti i internetit duhet të zëvendësohet.
Kamera dhe teknologji “dasmash” nga shekulli i kaluar
Në kohë kur gjykatat estoneze përdorin inteligjencën artificiale, e cila gjatë gjykimeve menjëherë e shndërron fjalën në tekst, gjykatat në Maqedoni kanë procesverbalistë dhe CD.
Gjykimet kryesisht regjistrohen vetëm në audio dhe në një numër të vogël me video.
Statistikat botërore tregojnë se në vitin 2025 më pak se 10 përqind e kompjuterëve të prodhuar do të përmbajnë lexues CD-sh e cila është tashmë një teknologji e vjetruar e riprodhimit. Por, është e vetmja që përdoret në gjykatat në Maqedoni. Avokatët duhet të kërkojnë modele më të vjetra kompjuterësh për t’i shqyrtuar procesverbalet e gjykimeve.

Nëpër korridoret gjyqësore ende qarkullon anekdota që tregohet për përdorimin e “kamerës” në sallën e gjyqit të Gjykatës Penale, e cila e mori nofkën “kamera e dasmës”. Për shkak të saj, anuloheshin gjykimet në lëndët e Prokurorisë Speciale Publike. Të gjithë avokatët mbrojtës insistonin të regjistrohen seancat, gjë që është detyrim ligjor. Por, meqenëse gjykata nuk kishte kamera për çdo sallë gjykimi, seancat shpesh anuloheshin.
Edhe pse publikimi i vendimeve është një detyrim ligjor, në uebfaqen e Gjykatës Penale që nga fillimi i vitit janë publikuar vetëm gjashtë vendime.
Gjykatat kanë një sistem për dorëzimin elektronik deri te avokatët, por është sistem njëkahësh, që do të thotë se avokatët nuk mund të dorëzojnë materiale në gjykatë në formë elektronike. Gjykimet zhvillohen në letër. Kur bëhet fjalë për ruajtjen e letrave, gjykatat edhe këtu kanë vështirësi.
Raporti i Gjykatës Supreme për gjykatat në vitin 2024 vëren se gjykata e Kratovës përdor sistemin operativ Windows XP, për të cilin mbështetja e fundit teknike dhe e sigurisë skadoi në vitin 2014.
Në gjykatën e Tetovës, rrjeti që kanë nuk korrespondon “me shpejtësinë dhe cilësinë e punës së aplikacioneve dhe pajisjeve kompjuterike që përdor gjykata”.
Numër i përgjysmuar i gjykatësve dhe stafit

Në Gjykatën e Apelit në Shkup, zona më e madhe e apelit në vend, lëndët mbërrijnë nga dy gjykatat më të mëdha të Shkupit, ajo penale dhe civile, por edhe lëndë nga Velesi, Gjevgjelia, Kavadari, Kratova, Kriva Pallanka, Kumanova dhe Negotina.
Të gjitha, sipas sistematizimit, duhet të vendosen nga 55 gjykatës, ndërsa viti i kaluar përfundoi me 33.
Situata është e ngjashme edhe në Gjykatën e Apelit në Manastir. Atje ishin paraparë 25 gjykatës, ndërsa punuan vetëm shtatë. Këto kushte pasqyrohen edhe në gjykatën më të lartë. Nga 28 gjykatës të paraparë deri vitin e kaluar, në Gjykatën Supreme kishte vetëm 11, ndërsa këtë vit ka 14.
Në vitin 2019, në Maqedoni kishte 499 gjykatës. Për pesë vjet numri i tyre ka rënë në 363 gjykatës, ndërsa numri i nevojshëm sipas sistematizimit është 639.

Gjykata e Berovës ka vetëm një gjykatës që është deleguar nga një qytet tjetër. Në Krushevë, është i punësuar vetëm një gjykatës, i cili është edhe kryetar i gjykatës. Ai i ka punuar të gjitha 2.370 lëndët që kanë arritur.
Gjykata e Prilepit nuk ka kontabilist, ndërsa gjykata e Sveti Nikoles nuk ka të punësuar policë gjyqësorë për ta siguruar gjykatën.
Arkëtari është edhe shofer në gjykatën e Kratovës. Atje punojnë një kryetar dhe një gjykatës. Ata merren me të gjitha pothuajse 3.000 lëndët në vit.
Mungesë stafi profesional dhe teknik ka në të gjitha gjykatat, gjë që ndikon në shpejtësinë e zgjidhjes së lëndëve.
Për shembull, në Gjykatën Civile, sipas të dhënave nga Këshilli Gjyqësor, koha mesatare për zgjidhjen e lëndëve është 927 ditë, gjegjësisht dy vjet e gjysmë. Gjykata Themelore në Dibër, nga ana tjetër, zgjidh një lëndë mesatarisht në 82 ditë.
Në njërën nga seancat e fundit të Këshillit Gjyqësor anëtari i këtij organi, gjykatësi Ivica Nikollovski, tha se “Numri i lëndëve po rritet, ndërsa numri i gjykatësve po zvogëlohet”, duke aluduar në ekipimin e dobët kadrovik dhe teknik. Nikollovski tha se nuk mund të ketë një gjyqësor të azhurnuar dhe modern me pajisje të vjetra dhe staf të përgjysmuar.
Në prag të qëndrueshmërisë financiare
Instituti i Mjekësisë Ligjore tërhoqi rreth 140 mijë euro nga llogaria e gjykatës në Veles për ekspertiza të kryera, por të papaguara, pas një vendimi gjyqësor përmes një përmbaruesi. Ky është vetëm një nga gjetjet në raportin e vitit 2024 të Këshillit të Buxhetit Gjyqësor, i vetmi organ që kujdeset për financat e gjykatave.
Ky shembull i vogël zbulon pamjen e përgjithshme: mungesa e parave është kronike. Në të shkruhet se vitin e kaluar në vend të 70,1 milionë eurove të parapara ligjërisht, ata kanë marrë gjithsej 45 milionë euro.
Këshilli i Buxhetit Gjyqësor konsideron se në vend që të bëhen prokurime publike të ndara në secilën gjykatë, duhet të krijohet një shërbim profesional që do t’i furnizojë gjykatat në nivelin e rrethit të apelit.
Nga këto, mbi 82 përqind janë për paga dhe kompenzime. Pak mbi pesë përqind janë për pajisje dhe mirëmbajtje. Komisioni Evropian gjithashtu shkroi për këto probleme në raportin për progresin e vendit në vitin 2025.
Të paktën 0.8 përqind e ekonomisë maqedonase duhet t’i ndahet gjyqësorit që nga viti 2015, por kjo përqindje nuk është siguruar kurrë. Edhe pse shpërndarja si përqindje totale është brenda ose mbi disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës, shuma e ndarë për gjyqësorin për frymë banori është një nga më të ulëtat në Evropë.
Maqedonia në vitin 2024 ka ndarë për gjyqësorin 0,39 përqind të BPV-së. Kjo është mbi përqindjen e ndarë nga Sllovenia – 0,38. Mirëpo, duke pasur parasysh se ekonomia sllovene është shumë më e fortë se ajo në Maqedoni, në terma nominalë për frymë, Sllovenia ndan 107,1 euro dhe Maqedonia 24,6 euro.
Të gjitha problemet me të cilat përballet gjyqësori në mënyrë të pashmangshme ngrenë çështjen e azhurnimit të rrjetit të gjykatave në vend dhe nëse numri i gjykatësve i plotëson nevojat.
Analiza e fundit mbi atë se cilat janë nevojat është nga viti 2018.
Me fjalë të tjera, çështjet që nuk janë analizuar sistematikisht për shumë vite janë nëse në disa vende ku, sipas regjistrimit të fundit, popullsia është më e vogël, duhet të ketë departamente në vend të gjykatave, dhe nëse dhe ku duhet të rishikohet numri i gjykatësve.
Juristja Ivana Petkovska, e cila ka monitoruar gjyqësorin në Maqedoni për shumë vite, thotë se nëse vazhdon praktika e neglizhimit së investimeve në gjyqësor, “në të ardhmen mund të përballemi me një kolaps të plotë të sistemit gjyqësor”, gjë që do të ndikojë në qasjen në drejtësi për qytetarët.
Prioritet, sipas saj, është “pajisja e gjykatave me shërbime profesionale”, “avancimi i gjykatave me teknologji të re kompjuterike” sepse disa nuk kanë mjaftueshëm printerë, skanerë dhe pajisje të tjera të domosdoshme për punë të shpejtë dhe efikase.
Vetëm pasi të përmbushen të gjitha këto, gjyqësori mund të synojë digjitalizimin e plotë.