Gjykata në Strasburg vendosi që shteti t’i paguajë 1.600 euro kompensim Docevska-Bozhinovskës sepse i janë shkelur të drejtat gjatë shqiptimit të paraburgimit për “27 Prillin”

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg vendosi që Elena Docevska-Bozhinovskës i janë shkelur të drejtat gjatë procedurës për caktim të paraburgimit lidhur me dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. Gjykata në Strasburg, në aktvendimin nga 9 maji thotë se në rastin e saj është shkelur Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e obligon shtetin që në afat prej tre muajsh t’i paguajë dëmshpërblim prej 750 euro, plus 850 euro për shpenzime gjyqësore, shkruan sdk.mk, njofton Portalb.

Docevska-Bozhinovska, e cila në vitin 2017 ishte e punësuar në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski, u paraburgos më 30 nëntor të vitit 2017 me vendim të këshillit treanëtarësh nga Gjykata Themelore Penale Shkup, pas ankesës së prokurorisë, pasi ajo paraprakisht ishte në paraburgim shtëpiak. Prokuroria ankesën deri te gjykata e ka dorëzuar të njëjtën ditë, ndërsa Docevska-Bozhinovska e ka marrë të nesërmen, pasi gjykata veçmë ka sjellë vendim. Ankesa e saj ndaj vendimit për paraburgim  është shqyrtuar nga gjykata më 12 dhjetor dhe është refuzuar. Më 28 dhjetor, ajo sërish ka dorëzuar ankesë kundër paraburgimit dhe ajo është shqyrtuar më 15 janar dhe sërish është refuzuar.

Gjykata në Strasburg e pranon ankesën e saj se nuk ka pasur mundësi që t’i përgjigjet ankesës së Prokurorisë dhe se gjykata i ka zvarritur ankesat e saj.

Docevska-Bozhinovska, e cila është një prej 33 të akuzuarve, në dhjetor të vitit 2018 ishte e përfshirë me amnistinë e pjesshme për  të akuzuarit për 27 Prillin. Ajo tani është këshilltare e VMRO-DPMNE-së në Komunën e Kumanovës.

3 maj të këtij viti, Gjykata Supreme i ka refuzuar ankesat për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit të vitit 2019 dhe Gjykatës së Apelit të vitit 2021 për lëndën e njohur në opinion si “27 Prilli”,

Vendimi i Gjykatës Themelore Penale ishte që, të akuzuarit për ngjarjen e përgjakshme të “27 Prillit” janë fajtorë për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Të akuzuarit gjithsej u dënuan me 211 vjet burg: 

  • Mitko Çavkov: 18 vjet burg
  • Mitko Peshov: 15 vjet burg
  • Dushko  Llazarov: 15 vjet burg
  • Goran Gjoshevski – Levi: 15 vjet burg
  • Jane Çento: 15 vjet burg
  • Vllatko Trajkovski: 15 vjet burg
  • Munir Pepiq: 15 vjet burg
  • Nikolla Mitrevski – Kolo: 15 vjet burg
  • Vilijam Mihajllovski: 14 vjet burg
  • Oliver Popovski: 13 vjet burg
  • Gorançe Angellovski: 12 vjet burg
  • Igor Jug: 12 vjet burg
  • Mlladen Dodevski: 12 vjet burg
  • Oliver Radullov: 10 vjet burg
  • Aleksandar Vasilevski – Ninxha: 8 vjet burg
  • Abdulfetah Alimi: 7 vjet burg

Të akuzuarit duhet që t’i paguajnë harxhimet gjyqësore në vlerë prej 18 mijë euro. Igor Durllovski u lirua nga akuza dhe harxhimet gjyqësore janë në llogari të shtetit.

Dy vjet më vonë, Gjykata e Apelit Shkup miratoi vendim ndaj ankesave të 16 të dënuarve në shkallë të parë dhe pjesërisht i ka konfirmuar aktgjykimit për veprën penale “Rrezikim Terrorist të Rendit Kushtetues dhe Sigurisë”. Gjykata e Apelit e konfirmoi aktgjykimin lirues për Igor Durllovskin.

Ish kryetarit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin prej 18 në 16 vjet burg, a Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski – Levi, Jane Çento, Vilijam Mihajllovski dhe Munir Pepiq në vend 15 vjetëve, ju ka ulur në 13 vjet burg. Për dy vjet më pak nga 13 në 11, është dënuar Oliver Popovski.

Vllatko Trajkovski dhe Nikolla Mitrevski – Kolo janë dënuar me dënim me burg prej 13 vjetëve, Mlladen Dodevski, Gorançe Angjellovski dhe Igor Jug me nga 11 vjet burg. Oliver Radullov me 9 vjet, ndërkaq Aleksandar Vasilevski – Ninxha me 7 vjet burg. Abdulfetah Alimit i është ulur dënimi prej 7 në 6 vjet burg.

Për rastin në fjalë, udhëhiqet dhe lëndë tjetër penale për organizatorët e sulmit, të cilët sipas Prokurorisë janë Trajko Veljanovski (ish kryetar i Kuvendit), Mile Janakieski (ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve), Spiro Ristoski (ish ministri i Arsimit dhe Shkencës) dhe Vlladimir Atanasov (ish drejtor i Policisë Sekrete).

Fillimisht pati aktgjykim ku të akuzuarit u dënuan me 25 vjet burg, por në prill të këtij viti, Apeli i pranoi ankesat e të akuzuarve dhe të dënuarve dhe i shfuqizoi dënimet me burg.

Në hetim u përfshinë edhe ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtari e inteligjencës Nikolla Boshkovski, por procedura për ta u ndal derisa ata të viheshin në dispozicion të agjencive të zbatimit të ligjit.