Gjykata Administrative anuloi tre vendime qeveritare me të cilat në mënyrë të kundërligjshme hodhi poshtë vendimet e Toshkovskit

Ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Pançe Toshkovski, mëngjesin e sotëm përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur se Gjykata Administrative ka marrë vendim për anulimin e tri vendimeve të qeverisë me të cilat, siç thotë ai, në mënyrë të kundërligjshme janë anuluar vendimet që ai si ministër i ka sjellë në kuadër të Ministrisë së Brendshme, dhe për sjelljen e së cilës ka pasur mosmarrëveshje mes tij dhe zëvendësministrit shtesë, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për dy vendime për formimin e komisioneve të caktimit dhe një telegram për zbatimin e një shpalljeje të brendshme për plotësimin e vendeve vakante në MPB të marra nga unë, të cilat janë anuluar në mënyrë të kundërligjshme nga Qeveria”, ka thënë ministri i MPB-së në postimin në Facebook.

Duke e sqaruar aktgjykimin, Toshkovski thekson se Gjykata Administrative ka vlerësuar se i padituri, në rastin e Qeverisë, me marrjen e vendimeve që janë objekt i padisë, ka shkelur rregullat e procedurës të përcaktuara në nenin 48 të Ligjit për Qeverinë sipas të cilit, siç shton ministri:

“Në një situatë mosmarrëveshjeje ndërmjet ministrit dhe zëvendësit shtesë në MPB, që rezulton nga njoftimet e dërguara zëvendësministrit shtesë lidhur me atë nëse aktet përkatëse të miratuara nga ministri paraqesin çështje ligjore, financiare dhe personeli që lidhet me për organizimin e zgjedhjeve, Qeveria ka hyrë në vlerësimin e ligjshmërisë edhe pse ka qenë e obliguar t’i udhëzojë palët që këtë çështje kontestuese ta zgjidhin para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili është i obliguar që në afat prej 24 orëve të marrë vendim dhe t’ia përcjellë Ministrisë. Sipas konstatimit të Gjykatës, KSHZ-ja është i vetmi autoritet kompetent për të përcaktuar nëse akti i përket grupit të akteve që miratohen nga zëvendësi shtesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme”.

Në postimin në Facebook në të cilin Toshkovski informon për aktvendimin e Gjykatës Administrative, ai po ashtu vlerëson se është dëshmi se vendimet shfuqizuese që janë marrë nga Qeveria kanë prapavijë politike dhe, siç thotë ai, lënë njollë të zezë në përgjithësi në zbatimin e procesit zgjedhor.

“Me aktgjykimet e nxjerra në këtë mënyrë, Gjykata Administrative konfirmon se aktet përkatëse të nxjerra nga ana ime janë në përputhje me Ligjin për Qeverinë dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore që rregullojnë këtë çështje, dhe në të njëjtën kohë Qeveria ka vepruar në kundërshtim me ligji, gjegjësisht gabimisht e ka zbatuar të drejtën materiale”, shkruan Toshkovski në Facebook.