Gjuha si atdhe dhe sfida e barazisë në Maqedoninë e Veriut

“Gjuha është atdheu ynë” – kjo thënie e poetit Blazhe Koneski ka mbetur si një testament i fuqishëm kulturor dhe identitar për popullin maqedonas. Nëse e marrim këtë si të vërtetë universale, atëherë për ne shqiptarët në Maqedonia e Veriut, gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi – ajo është mëmëdheu ynë, shenja jonë e ekzistencës dhe e barazisë.

Por pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: çfarë konsiderohet “atdhe” në një shtet shumëetnik? A është ai një koncept i përbashkët qytetar, apo një pronë simbolike e shumicës? Dhe nëse gjuha përbën atdheun, atëherë a është ky atdhe i barabartë për të gjithë?

Kjo nuk është një dilemë teorike. Është një realitet i përditshëm për shqiptarët në këtë vend, ku statusi i gjuhës shqipe vazhdon të mbetet më shumë në letër sesa në praktikë. Edhe pse i mbështetur nga Marrëveshja e Ohrit dhe i garantuar me ligj, përdorimi i saj në institucione shpesh anashkalohet, zvarritet ose relativizohet.

Ironia qëndron në faktin se vetë aktorët politikë shqiptarë, të cilët për dekada kanë qenë pjesë e pushtetit, nuk kanë arritur të sigurojnë zbatim të plotë të kësaj të drejte. Rasti i deklaratave kontradiktore mes aktorëve politik të BDI’së (Bujar Osmani dhe Bilen Saliji) për Ligjin e Gjuhëve është një shembull i qartë i mungesës së transparencës dhe përgjegjësisë institucionale. Kur qytetarëve u serviren gjysmë të vërteta, besimi në shtet fillon të zbehet.

Nga ana tjetër, deklaratat e vonshme të Ali Ahmetit e vendosin çështjen në një nivel më parimor: gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese. Megjithatë, problemi nuk është më tek formulimi i ligjeve, por tek mungesa e vullnetit për t’i zbatuar ato. Një shtet që nuk u flet qytetarëve të vet në gjuhën e tyre, vështirë se mund të pretendojë barazi reale.

Në këtë kontekst, roli i institucioneve bëhet vendimtar. Kur edhe mekanizma si Gjykata Kushtetuese perceptohen si të ndikuara nga një mendësi majorizuese, atëherë rrezikohet vetë kohezioni i shtetit. Sepse barazia nuk është kompromis politik – është themel i bashkëjetesës.

Për më tepër, qëndrimet ndërkombëtare, përfshirë ato të përfaqësuesve të Bashkimi Evropian si Johannes Hahn (lexo: Han dhe pyetja e gazetares), kanë qenë të qarta: ligjet ekzistojnë, por zbatimi i tyre mbetet sfidë. Dhe kjo sfidë nuk është teknike – është politike.

Sot, në një kohë kur debatet për gjuhën shqipe janë rikthyer në qendër të diskursit publik, pyetja nuk është më nëse kjo gjuhë është zyrtare apo jo. Pyetja është: a ka ky shtet vullnetin ta trajtojë atë si të barabartë në çdo nivel?

Sepse në fund, nuk mjafton të thuhet se “gjuha është atdheu ynë”. Duhet të dëshmohet se ky shtet është i përbashkët dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e tij. Përndryshe, rrezikojmë të jetojmë në një rend ku disa ndihen plotësisht të përfaqësuar, ndërsa të tjerët vetëm pjesërisht të përfshirë.

Dhe kjo nuk është vetëm çështje e gjuhës. Është çështje e dinjitetit, dimenzion i barazisë.