I mbylli gruan dhe katër fëmijët e mitur në banjo, në MPB janë denoncuar disa raste të dhunës në familje
Policia po ndërmerr masa kundër 35-vjeçarit L.I pasi gruaja e tij 31-vjeçare raportoi se ai e kishte mbyllur në banjon e shtëpisë familjare në zonën e Bit-pazarit, pas një kohe e kishte sulmuar fizikisht, pas së cilës e kishte nxjerrë nga shtëpia. Sipas raportit, burri i kishte mbyllur në banjo edhe katër fëmijët e tyre të mitur, transmeton Portalb.mk.
“Gruaja tha se edhe më parë ishte abuzuar fizikisht dhe mendërisht prej tij, por nuk e kishte raportuar në polici”, informon Ministria e Punëve të Brendshme.
Ky është një nga rastet e dhunës në familje që janë raportuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në 24 orët e fundit.
Buletini i policisë përmend gjithashtu një rast në të cilin një grua 27-vjeçare raportoi dje se më 1 prill të këtij viti bashkëshorti i saj M.D. (32), me të cilin ishte e ndarë, e kishte kërcënuar atë dhe babanë e saj. Sipas raportit, ajo më parë ishte abuzuar fizikisht dhe mendërisht prej tij, por nuk e kishte raportuar në polici.
Në një rast tjetër, policia arrestoi B.T. (49) herët dje në mëngjes pasi gruaja e tij 43-vjeçare e denoncoi atë për sulm fizik ndaj saj në shtëpi ditën paraprake. Sipas raportit në Ministrinë e Brendshme, gruaja ishte abuzuar psikologjikisht më parë prej tij, por nuk e kishte denoncuar në polici.
Në orën 1 të mëngjesit të mbrëmshëm, Ministria e Brendshme mori denoncim nga një grua 52-vjeçare nga Shkupi e cila denoncoi se bashkëshorti i saj Z.D. (52) ishte sjellë në mënyrë agresive dhe kishte tentuar ta sulmonte fizikisht. Edhe ajo, sipas raportit, ishte abuzuar fizikisht dhe psikologjikisht prej tij për një periudhë të gjatë kohore, por nuk e kishte denoncuar. Dy orë pas denoncimit të saj, rreth orës 3 të mëngjesit, bashkëshorti i saj denoncoi se gruaja e tij e kishte kërcënuar në shtëpinë e familjes.
Kujtojmë se sipas të dhënave nga MPB-ja, në një periudhë prej pesë vitesh janë regjistruar madje 26 vrasje të grave. Në vitin 2021 u regjistruan katër vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin katër gra. Në vitin 2022, u regjistruan dy vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin dy gra. Vitin pasardhës, ky numër është 9, ndër të cilët njëra nga viktimat ishte një vajzë 14 vjeç. Në vitin 2024, u vranë pesë gra, njëra prej të cilave ishte një vajzë dyvjeçare, ndërsa vitin e kaluar u vranë 6 gra.