Gjermania “kushtëzon” lobimin për heqjen e masave ndaj Kosovës

Nga katër kryetarët e komunave në veri, vetëm ai i Leposaviqit e ushtron detyrën në ndërtesë të komunës. E, Gjermania ka kushtëzuar lobimin për heqjen e masave që BE-ja ia ka vendosur Kosovës me zhvendosjen edhe të këtij kryetari në zyrë alternative. Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada theksoi se Qeveria tashmë ka ndërmarrë hapa të lavdërueshëm për zbutjen e situatës në veri.

Zhvendosja e kryetarit të Leposaviqit prej ndërtesës komunale në një zyrë alternative është kusht i Gjermanisë për të avokuar që Bashkimi Evropian t’ia heqë masat ndëshkuese Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë foli në shumës kur iu referua zhvendosjes së kryetarëve në veri, por vetëm një nga katër ndodhet në zyrë komunale.

“Qeveria e Kosovës tashmë ka ndërmarrë hapa të lavdërueshëm për zbutjen e situatës. Ka reduktuar praninë e njësive speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të objekteve komunale. Ajo gjithashtu ka prezantuar një udhëzim administrativ për të përcaktuar procesin drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Kërkesa që kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale nuk është zbatuar”, ka thënë Christian Bottcher nga kjo ambasadë.

Ambasada gjermane lavdëroi Kosovën për përballje profesionale me sulmin në Banjskë e edhe për përmirësim të koordinimit dhe bashkëpunimit me KFOR-in dhe EULEX-in. Ndërkaq bëri të ditur se Gjermania do të avokojë për përfundimin e masave të BE-së, në bazë të hapave të mëtejshëm nga Kosova.

Në fillim të javës në BE thanë se masat do të hiqen kur të vlerësohet se “janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri”. Por, në bllokun evropian nuk kanë treguar se cilat janë veprimet, të cilat nuk janë ndërmarrë nga Kosova dhe as nëse ka ndonjë kërkesë të re.

Në lidhje me qëndrimin gjerman nuk folën në Qeveri. Por, kanë përsëritur qëndrimin se janë plotësuar obligimet dhe se janë në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, që do të konstatonte një gjë të tillë.

Gjatë javës në Bruksel thanë se ky vit sjell shpresë për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, sipas profesorit të së drejtës, Flamur Hyseni, procesi ka marrë kah tjetër që nga sulmi në Banjskë. Sipas tij, dialogu nuk duhet të vazhdojë për sa kohë të jenë në fuqi masat ndaj Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe pa anshmëri nga BE-ja. Prapë me këtë kërkesë BE-ja po tregohet e padrejtë me Kosovën. Nuk mund të deklarohet optimiste dhe të kërkojë kthim të palëve në tavolinën e bisedimeve, ndërsa Kosovës i kërkohet diçka ekstra procesit të dialogut, plus ende janë në fuqi masat/sanksionet”, ka thënë Hyseni.

Heqjen e masave të enjten e kërkoi edhe kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, gjatë konferencës për media me kryeministrin Albin Kurti.

Masat ndaj Kosovës janë vendosur në qershor të vitit të kaluar, pas tensioneve të krijuara, me të marrë detyrat kryetarët e rinj në katër komunat në veri, të banuara kryesisht me serbë.