Gjatë bastisjes në një fshat në Gostivar janë gjetur dy automatikë dhe municione, u arrestuan dy persona

Sot gjatë bastisjes së një shtëpie familjare dhe objekte tjera në fshatin Lomnicë të Gostivarit, ekipet policore kanë gjetur dhe konfiskuar pushkë automatike dhe municione luftarake, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Për këtë rast është privuar nga liria 23-vjeçari E.F. dhe babai i tij S.F. të cilit sipas policisë iu gjet arma.

Bastisja, siç thuhet në njoftim, është kryer nga Njësia për krime të rënda dhe krime kundër trashëgimisë kulturore pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rënda.

Policia ka vepruar sipas vendimit të gjykatës, për shkak të dyshimit të bazuar për krim të kryer në lidhje me nenin 396 të Kodit Penal, i cili i referohet prodhimit, mbajtjes dhe tregtisë pa leje të armëve dhe lëndëve shpërthyese.

“Gjatë bastisjes së personit S.F. (babai i E.F.) janë gjetur dhe konfiskuar dy automatikë, katër korniza për pushkë automatike, 231 fishekë për një automatik dhe 20 gëzhoja për pushkë gjuetie”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Me të dyshuarin S.F. në stacionin policor në Gostivar është zhvilluar intervistë zyrtare në të cilën ka sqaruar se armët dhe municioni i gjetur janë të tijat.

Nga MPB thonë se pas ekspertizës dhe konsultimit me prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, me procedurë të shpejtë do të parashtrohet kallëzim penal.