Gazsjellës pa leje dhe dobësi në financa, NOMAGAS nën thjerrën e revizorëve

Enti Shtetëror i Revizionit shprehu një mendim të pafavorshëm mbi pasqyrat financiare dhe pajtueshmërinë me rregulloret ligjore në operacionet e SHA NOMAGAS – kompanisë shtetërore të transmetimit të gazit natyror, për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

Revizorët identifikuan dobësi serioze në të dhënat kontabël, menaxhimin e aseteve dhe pajtueshmërinë me ligjin. Një nga vëzhgimet kryesore është se vlera reale e kapitalit të ish-GA-MA nuk ishte regjistruar, gjë që çoi në kapital të nënvlerësuar dhe të dhëna të pasakta në Regjistrin Qendror dhe Depozituesin Qendror të Letrave me Vlerë.

Revizioni gjeti gjithashtu parregullsi në menaxhimin e inventarit, nga të cilat mbi 80 përqind burojnë nga një periudhë para vitit 2019, pa vlerësim nëse ato janë të vjetruara ose të papërdorshme. Përveç kësaj, inventari i aseteve dhe detyrimeve nuk u krye në përputhje me rregulloren, dhe disa nga asetet e paprekshme u regjistruan gabimisht si të prekshme.

Shqetësues është fakti që tubacionet kryesore të gazit, të ndërtuara në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2024, me vlerë disa miliardë denarë, ende nuk janë vënë në përdorim për shkak të lejeve të palëshuara dhe marrëdhënieve të pazgjidhura pronësore dhe juridike.

Revizorët përcaktuan gjithashtu se NOMAGAS nuk ka miratuar plan dhjetëvjeçar për zhvillimin e sistemit të transmetimit të gazit natyror, megjithëse ky ishte detyrim ligjor, si dhe zbatim të gabuar të metodologjisë për llogaritjen dhe shpërndarjen e kompensimit të neutralitetit tek palët përgjegjëse të balancimit.

Për më tepër, vihen në dukje dobësi në auditimin e brendshëm, vlerësim i pabarabartë i punës, kontrata të lidhura pa miratimin e Bordit të Drejtorëve, si dhe parregullsi në prokurimin publik.

Për disa nga rekomandimet e dhëna në auditimin paraprak, revizorët përcaktuan se një numër i konsiderueshëm ende nuk janë zbatuar, prandaj kërkuan që autoritetet kompetente të marrin masa urgjente për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe ligjshmërinë e operacioneve të NOMAGAS.

Kujtojmë se pavarësisht se janë harxhuar miliona euro për sistemin e ndërtimit të rrjetit të gazifikimit në vend, projekti vazhdimisht është zvarritur me vite ndërsa sistemi nuk është ende funksional në tërësi. Në ndërkohë, interkonektori i gazsjellësit midis RMV-së dhe Greqisë pritet të jetë funksional në vitin 2027.

Ndonëse ndërtimi i tubacioneve të gazifikimit ka përfunduar në të gjitha segmentet në të gjithë vendin, ende nuk janë vënë në funksion.