Gashi: RMV mbetet e palëkundur në orientimin e saj strategjik për integrim evropian

Me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës kryeparlamentari Afrim Gashi ka uruar qytetarët, duke thënë se, në një kohë sfidash të thella gjeopolitike dhe pasigurish globale, kjo ide mbetet garancia më e fortë për një të ardhme të sigurt, demokratike dhe të qëndrueshme për qytetarët tanë, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian e tejkalon dimensionin e një procesi politik.

“Ai përfaqëson një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe kohezionin e gjithë kontinentit evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e palëkundur në orientimin e saj strategjik për integrim evropian, duke dëshmuar vazhdimisht përgjegjësi institucionale, kulturë demokratike dhe përkushtim të sinqertë ndaj reformave, dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Ky rrugëtim është aspiratë politike, por edhe shprehje e bindjes sonë të thellë se e ardhmja e vendit është natyrshëm pjesë e familjes evropiane”, tha Gashi.

Ai ka shtuar se, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbetet i përkushtuar në avancimin e reformave demokratike, përforcimin e institucioneve dhe thellimin e proceseve integruese, me bindjen se integrimi evropian përfaqëson garanci për stabilitet afatgjatë, zhvillim demokratik dhe mirëqenie për qytetarët tanë dhe rajonin.

“Në frymën e 9 Majit, riafirmojmë besimin se e ardhmja evropiane ndërtohet mbi solidaritetin, mirëbesimin dhe vizionin e përbashkët për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, thuhet në urimin e Gashit.