Çdo vit, Fjala e Vitit e Dictionary.com shërben si “një kapsulë kohore gjuhësore, që pasqyron trendet shoqërore dhe ngjarjet globale që përcaktuan vitin”, transmeton Euronews.
Sipas Dictionary.com, fjala e vitit për 2025-n është termi viral “6-7” – që shkruhet gjithashtu “67”, “Gjashtë-shtatë” dhe zakonisht shqiptohet si “gjashtë SHTATË!”
Fjalët e fëmijëve dhe adoleshentëve kanë gjithmonë ritmin e tyre, por “6-7” ka arritur diçka që pak zhargone arrijnë, është bërë pjesë e kulturës së përditshme.
Ajo është përdorur si shaka, si reagim emocional, por edhe si mjet bashkimi midis bashkëmoshatarëve.
Edhe Dictionary.com pranoi se është pak i hutuar nga “6-7”.
“Mos u shqetësoni, sepse të gjithë po përpiqemi ende ta kuptojmë saktësisht se çfarë do të thotë. Është e pakuptimtë, e kudondodhur dhe absurde. Me fjalë të tjera, ka të gjitha tiparet e një mendjelehtësie. Megjithatë, mbetet kuptimplotë për njerëzit që e përdorin për shkak të lidhjes që nxit”, tha faqja e internetit.
Në pamje të parë, duket si një kombinim i thjeshtë numrash, por kuptimi i saj ndryshon sipas mënyrës si thuhet dhe në çfarë situate përdoret. Në shumë raste, ajo nuk ka as kuptim të drejtpërdrejtë – dhe pikërisht kjo është arsyeja pse është kaq e dashur për fëmijët.
“67” nuk është as një fjalë, por përdorimi i saj është rritur gjatë verës dhe është bërë një fenomen kulturor i përhapur në mediat sociale.