Garentina Kraja: Dhunimet në luftën e Kosovës nuk janë dokumentuar mjaftueshëm, shpresoj që libri të shërbejë si mjet ndërgjegjësimi
Ne ishim dëshmitare të krimeve që bën forcat serbe nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës, por u ndjejtëm vazhdimisht që puna jonë nuk kishte përfunduar pa e dokumentuar, pa e shkruar këtë kapitull kaq të trishtë të luftës, që për mendimin tonë ishte pjesë e pandashme e saj dhe që nuk ishte dokumentuar sa duhej. Kështu tha për Portalb.mk Garentina Kraja, hulumtuese, gazetare dhe autore e librit “Hallka me e fuqishme”, rrëfimet e grave që lufta i ndëshkoi e shoqëria i heshti. Ajo edhe më tej shtoi se për audiencën ndërkombëtare, dhunimet gjatë luftës në Kosovë nuk janë mjaftueshëm të dokumentuara.
Portalb.mk: Së bashku me studiuesen Anna Di Lellio, sollët në dritë librin “Hallka me e Fuqishme”, na tregoni më gjerësisht lidhur me atë çfarë keni sjellë përmes këtij libri?
Garentina Kraja: Libri Hallka më e Fuqishme, the Strongest Link në gjuhën angleze, i botuar nga Shtëpia botuese më prestigjioze Oxford University Press, përmban përvojat dhe rrëfimet e grave dhe vajzave, të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të ushtruar nga forcat serbe.
Rrugët tona u ndërlidhen me organizatat që luftuan për kauzën e të mbijetuarave dhe falë angazhimit të zonjës Feride Rushiti, Kadire Tahiraj dhe Mirlinda Sada dhe të mbijetuarave që na e besuan për ta treguar rrëfimin e tyre jetësor, arritëm që ta sjellim këtë libër pranë lexuesit në këtë përvjetor të përfundimit të luftës, ndoshta edhe për t’i përkujtuar njerëzit që lufta për një kategori njerëzish në Kosovë ka vazhduar apo vazhdon përtej përfundimit ligjor të saj.
Libri synon që brenda 10 kapitujve t’i dokumentojë rrëfimet e tyre përtej dhunimit, duke u mundësuar lexuesve që t’i njohin këto gra, përvojën e tyre aspak të lehtë jetësore, por edhe fuqinë e tyre për të mbijetuar dhe për të gjetur forcën qe ta tregojnë këtë histori të hidhur pa të cilën, siç na thotë edhe aktivistet që kanë luftuar për të drejtat e të mbijetuarve, nuk mund të shkruhet historia e Kosovës.
Portalb.mk: Si lindi ideja për të sjellë këtë libër?
Garentina Kraja: Autorja Anna Di Lellio dhe unë e kishim një nevojë të jashtëzakonshme që ta shkruajmë këtë libër, pjesërisht të nxitura nga kontaktet personale që i ndërtuam ndër vite me të mbijetuarat, të cilat na i kishin hapur zemrat qoftë prej kohës kur Anna ishte zëdhënëse e agjencisë se OKB-së për ushqimet në Kukës apo si studiuese, aktiviste dhe pjesëmarrëse e shumë zhvillimeve akademike, politike dhe shoqërore në Kosovë në 26 vitet e fundit apo kohës kur unë isha gazetare që po mbuloja luftën në Kosovë e më vonë këshilltare e Presidentes Jahjaga, e cila u angazhua për mbrojtjen ligjore të tyre dhe sigurimin e reparacioneve.
Por mbi të gjitha, libri u konceptua si kundërpërgjigje ndaj heshtjes apo edhe indiferencës që e takuam shpesh brenda Kosovës dhe jashtë saj për ta njohur dhe ndëshkuar vrazhdësinë e krimit që ishte kryer nga mijëra grave, por dhe ndaj burrave në Kosovë, që vazhdon ta rendojnë jetën e të mbijetuarave.
Ne u nxitëm nga kjo nevojë e jashtëzakonshme dhe urgjente që t’i dëgjojmë dhe t’i shkruajmë përvojat e të mbijetuarave, pa i kufizuar ato vetëm në torturën që e përjetuan nga forcat serbe por që t’i dëgjojmë dhe kuptojmë ato dhe jetën e tyre në tërësi-si ishte fëmijëria e tyre ndërkohë që trysnia po rritej në Kosovë dhe Jugosllavia po shembej, vendin e tyre në familje, jetën në fshat dhe qytet dhe rendin patriarkal që e rendonte atë, vështirësitë dhe pamundësitë për t’u shkolluar, që shpeshherë përbënte edhe thyerjen e tyre të parë, brutalitetin të cilin e përjetuan gjatë luftës dhe pastaj për ashpërsinë me të cilën u përballën pas saj, qoftë nga shkrumbi e hiri që e përshkonte Kosovën e pasluftës, apo nga mohimi që atyre ua bënte familja apo rrethi më i gjerë i tyre.
Pra libri është një përpjekje e Annës dhe e imja që ta ruajmë nga harresa këtë dimension të luftës se Kosovës. Ne ishim dëshmitare të krimeve që bën forcat serbe nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës, por u ndiem vazhdimisht që puna jone nuk kishte përfunduar pa e dokumentuar, pa e shkruar këtë kapitull kaq të trashtë të luftës, që për mendimin tonë ishte pjesë e pandashme e saj dhe që nuk ishte dokumentuar sa duhej.
Dhe veçmas falë angazhimit të palodhshëm të Annës, që është njëherit edhe profesoreshë në Universitetin e New Yorkut, e cila i kontekstualizoi rrëfimet për një audience anglisht-folëse, që ky libër këtë javë botohet nga njëra prej shtëpitë me prestigjioze akademike, asaj të Universitetit të Oxfordit.

Portalb.mk: Cili është rrëfimi që ju ka prekur më së shumti gjatë këtyre intervistave gojore të cilat i keni zhvilluar?
Garentina Kraja: Secili rrëfim është rrëfim që na la pa frymë. Mund të them që nuk ka një rrëfim që nuk na ka prekur. Rrëfimet e tyre janë të jashtëzakonshme jo vetëm për shkak të përvojave dramatike e tepër të dhimbshme nëpër të cilat ato kanë kaluar, por edhe për mënyrën se si gratë i tregojnë dhe i përjetojnë ato.Libri është një histori gojore e të mbijetuarave të dhunimeve, një disiplinë kjo e zgjedhur për të na mundësuar që ta ruajmë origjinalitetin e zërit të tyre dhe subjektivitetin por edhe anonimitetin e rrëfyesve.
Portalb.mk: Sa përjetime të grave janë të përfshira në këtë libër?
Garentina Kraja: Libri përfshin rrëfimet e 20 grave. Shumica e protagonisteve para 26 vitesh, ishin në të 20-tat, disa në të 30-tat dhe dyzetat, dhe katër prej tyre ishin ende adoleshente, një tregues që dhunuesit nuk zgjidhnin moshë për të ushtruar këtë formë torture ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. Shumica e të mbijetuarave rrëfimet e të cilave e ndërtojnë këtë libër janë nga viset rurale të Kosovës, ku edhe e gjejmë numrin më të madh të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999, e që konfirmon se paralelisht me vrasjet dhe dëbimet, dhunimet ishin pjesë e një fushate të organizuar dhe të planifikuar dhe një armë lufte e përzgjedhur e forcave serbe.
Portalb.mk: Sa ishte sfiduese për ti bërë të flasin për përjetimet të cilat i kanë kaluar?
Garentina Kraja: Ne kishim kontakte personale me disa nga të mbijetuarat që i ndërtuam ndër vite qoftë përmes punës tonë apo aktivizimit dhe po ashtu ndërtuam një marrëdhënie të ndërsjellë besimi me organizatat të cilat u përkujdesën dhe luftuan për të realizuar të drejtat e të mbijetuarve për njohje dhe përkujdesje institucionale. Për realizimin e intervistave ky besim ishte shumë i rëndësishëm. Ne si intervistuese dhe autore u përkujdesëm që të veprojmë duke respektuar plotësisht kërkesat e udhëheqëseve të organizatave, të psikologeve dhe punonjësve të tjera që përkujdesen për mirëqenien e të mbijetuarave rreth çështjeve etike që ndërlidhen me intervistim, të respektojmë dhe të dëgjojmë të intervistuarat dhe të jemi të ndjeshme ndaj kërkesave të tyre për anonimitet dhe konfidencialitet.
Anna dhe unë kemi realizuar qindra intervista si pjesë të profesioneve tona dhe jemi trajnuar që të bëjmë intervista të ndjeshme. Pastaj, disiplina e historisë gojore siguron një qasje të ndjeshme ndaj traumës sepse u jep mundësinë protagonisteve që të ndajnë me intervistuesin detajet që ato dëshirojnë t’i ndajnë.
Por pavarësisht trajnimeve dhe përvojës, t’iu them të drejtën asgjë nuk na përgatiti mjaftueshëm për peshën dhe dhembjen që bartin këto përjetime. Dhe sado që ishte sfiduese për ne t’i dëgjojmë rrëfimet e tyre, nuk mund të krahasohet me përjetimet nëpër të cilat kanë kaluar gratë që i intervistuam dhe mijëra të tjera që vazhdojnë ta vuajnë këtë përvojë në heshtje.
Portalb.mk: A ndihen ende të izoluara gratë të cilat kanë qenë viktimë e dhunës seksuale?
Garentina Kraja: Është vështirë të gjeneralizojmë, por besoj që do ta keni një pasqyrë më të qartë për reagimin e përgjithshëm të komunitetit të tyre, apo rrethit, siç i referohen gratë, kur lexuesi lexon për këtë kapitull të luftës së Kosovës, të shkruar përmes zërit të të mbijetuarave.
Në Kosovë, vetëdijesimi dhe njohuria për këtë krim të kryer ndaj grave nga forcat serbe është më e lartë se që ishte para 26 viteve, por edhe në këtë rrafsh ajo është e pa balancuar-institucionet kanë ndërmarrë hapa ligjor për ta mbështetur këtë kategori, por në realitet shoqëria si tërësi dhe familja si njësia kryesore organizative, mbesin kryesisht aty ku ishin në fillim, të papërgatitura dhe pa gatishmëri që t’i mbështesin plotësisht dhe pa kushte të mbijetuarat. Ka përjashtime të rëndësishme dhe ato patjetër që duhet të theksohen gjithmonë si shembull i guximit të të mbijetuarve dhe familjeve të tyre për të thyer izolimin dhe për të ofruar përkrahjen e duhur, si dhe për t’i dhënë fund heshtjes që për shkak të stigmës rrethon këtë krim, sepse përndryshe do të jetë e pamundur të luftohet për drejtësi, që është edhe pengu kryesor i tyre.
Portalb.mk: U shënua 26 vjetori i çlirimit të Kosovës? A vazhdon ende lufta për këto gra?
Garentina Kraja: Unë mendoj që po. E thonë edhe të mbijetuarat dhe organizatat që i mbështesin ato. Ky është edhe qëllimi i dhunës seksuale si armë luftë, sepse është beteje e cila vazhdon në çdo aspekt të jetës, përfshirë traumat individuale që shkakton, sepse të mbijetuarat e bartin këtë plagë me vete dhe shpeshherë kjo plagë shkon përtej tyre, duke u përçuar te fëmijët dhe familjet e tyre. Është plagë që kërkon kohë dhe përkushtim shoqëror për t’u adresuar.
Portalb.mk: A mendon se ky libër do të mbetet në arkivat e shtetit për t’i treguar botës se çfarë ka ndodhur në Kosovë?
Garentina Kraja: Siç dëshmojnë luftat në vazhdimësi, dhunimet fatkeqësisht janë pjesë e pandashme e luftës sepse janë armë terrori që përdoret për të frikësuar popullsinë civile.
Ato janë armë terrori edhe për faktin që garantojnë vazhdimin e luftës edhe pasi luftimet mes palëve të jenë ndërprerë. Në nivelin politik dhe global janë bërë përpjekje për të sensibilizuar opinionin për këtë çështje, ndërkohë që në aspektin ligjor janë nënshkruar konventa për ta parandaluar dhunimin si armë lufte. Megjithatë, përkundër këtyre përpjekjeve e vërteta është që dhunimet mbesin njëri ndër krimet e luftës që më së paku gjykohet dhe dënohet.
Për audiencën ndërkombëtare, dhunimet gjatë luftës në Kosovë nuk janë mjaftueshëm të dokumentuara. Shpresojmë që ky libër do të jetë një mjet ndërgjegjësimi për këtë krim të rëndë lufte dhe po ashtu kronike se përse ato mbeten të heshtura.
Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi i juaj për gjithë ata gra të cilat kanë qenë pjesë e këtij gjenocidi?
Garentina Kraja: Fillimisht dua t’i falënderoj gratë që pranuan të jenë pjesë e këtij libri dhe që patën guximin dhe kurajën që t’i ndajnë rrëfimet e tyre jetësore me Annën dhe me mua. Ato e luftuan stigmën dhe e thyen heshtjen pas kaq shumë vitesh duke na mundësuar ne që luftën e tyre për me shumë vetëdijesim për krimin që është kryer dhe thirrjen e tyre për njohje dhe drejtësi ta amplifikojmë përmes këtij libri.
Pavarësisht peshës së krimit dhe stigmës që ato bartin mbi supet e tyre çdo ditë, të mbijetuarit gjetën forcë që përmes formave të ndryshme t’i bëjnë të ditura vuajtjen e tyre dhe të hedhin dritë mbi reagimin e rrethit dhe shoqërisë, duke na vetëdijesuar për këtë aspekt. Unë shpresoj që të mbijetuarit do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre, për njohje, për drejtësi dhe vetëdijesim të shoqërisë dhe institucioneve.
Të mos harrojmë, përmes fuqisë se zërit të tyre, ato po e shkruajnë këtë pjesë të pa dokumentuar të historisë së Kosovës, duke u siguruar që gjeneratat e reja në Kosovë dhe gjetiu ta njohin atë si pjesë të pandashme të historisë plot sakrifica të paraardhësve të tyre që Kosova të jetë e lirë.