“Gаzi Baba 2013”: Ku jemi sot?

Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut shembull tipik i lagjes-geto, që e trajtuam në kolumnën e kaluar, është Gazi Baba e komunës së Çairit. Kjo lagje shtrihet  në rrjedhën e majtë të lumit Vardar, dhe është vendosur në zemrën e fushës së Shkupit të vjetër. Nga qendra e qytetit shihet kodrina e gjelbërt mbi këtë lagje, që tek popullata e thjeshtë njihet si mali i Gazi Babës. Vlen të theksohet se banorët e lagjes së Gazi Babës po edhe të lagjeve tjera të Shkupit, deri në vitet e 60’ta të shek XX, këtë kodrinë, që sot i takon komunës së Gazi Babës jo të asaj të Çairit, e shfrytëzonin për varreza, bile disa në në këtë kodër ruanin bagëtinë dhe kishin të mbjellurat. Dokumenti më i vjetër që flet për lagjen e Gazi Babës, daton nga viti 1544. (БогоевиќКумбaраџи, 1998:64)  Ky vendbanim i populluar kryesisht me shqiptarë muslimanë, e mban emrin e njërit nga dijetarët dhe luftëtarët e njohur të historisë së islamit që jetoi në kohën e Perandorisë Osmane. Bëhet fjalë për Muhammed Ali Netai-n, me prejardhje nga Bagdadi.

Në lagjen e Gazi Babës po edhe në lagjet tjera si Serava, Dizhoni, të Komunës së Çairit gjatë pesëdhjetë viteve të sistemit monist, por edhe pas viteve të 90’ta, pra që me pavarësimin e Maqedonisë, pushteti qendror thuajse nuk investoi aspak. Rrugicat e Gazi Babës, janë si fole bletësh, të ngushta dhe me shtëpi të ulëta (Mehmeti, 2011:223), pa sistemim të mirëfilltë urbanistik. Për dallim nga lagje moderne të Shkupit si Aerodromi, Karposhi, Taftalixheja, Zhdaneci, Kisella Voda, Debar Maallo,  të cilat i plotësojnë gjitha kushtet dhe standardet e kohës, me infrastrukturë të rregullt, shenjime rrugore, parqe dhe hapësira për fëmijë, në Gazi Babë banorët pas çdo shiu të rrëmbyeshëm përballen me kokëdhembje, ndërsa fëmijët e këtij vendbanimi vend për lojë e kanë sokakun!

Gazi Baba është një zonë banimi që deri më 2004-tën ka qenë pjesë e Komunës Qendër, ndërsa nga 2004 e asaj të Çairit; është lagje tipike suburbane, nj e varfër (slum), me shumë banorë, me kushte katastrofike për jetesë si të viteve ‘30 të shekullit kaluar. Shtëpitë e ndërtuara në këtë lagje janë kryesisht të vjetra, disadekadëshe, pa kushte të mirëfillta urbane, me rrugica të ngushta, pa hapësirë frymëmarrjeje normale të banorëve për shkak të sistemit shtëpi shpinë për shpine, shtëpi të mbuluara me teneqe dhe materiale të tjera ndërtimore si tulla, qerpiq, një pjesë e të cilave sfidohen nga dhëmbi i kohës, që rrezikojnë rrënimin dhe dëmtimin e banorëve të tyre. Gazi Baba është një teneqe mahallë, është një “mëhallë” pa kushte normale për jetesë. Aty nga dy-tre familje jetojnë në një shtëpi. Sipas regjistrimit të viti 2002 ka pasur 15182, kurse sipas atij të vitit 2021, 38,426 banorë (Симовски, 2021)

Një hulumtim sociologjik lidhur me këtë lagje, 119 amvisëri dhe intervistë me 7 persona, bashkë me politolog të kësaj lagjeje, M. Jasharin, kemi realizuar në pjesën e fundit të muajit shtator 2013. Sipas gjetjeve të këtij hulumtimi 80.7% e qytetarëve të lagjes Gazi Babë jetojnë në shtëpi private, dhe 16 % në banesa, ndërsa 3.4% në shtëpi të improvizuara (baraka), të mbuluara edhe me pllaka kancerogjene. Është shumë interesante se në shekullin XXI në mes të Europës ende ka shtëpi të bëra nga tullat e dheut, të papjekura (10.1 %) dhe druri dhe llamarina (2.5%).  30.03 % e qytetarëve jetojnë në shtëpi 1-50 m². 39.5 % e banorëve të kësaj lagjeje kanë jetuar në familje prej 5 e më tepër antarëshe. Kur marrim parasysh këtë fakt konstatojmë se një pjesë e mirë e gazibabasve para 12 viteve kanë jetuar në hapësirë tepër të ngushtë të trojeve. Vetëm ¼ e përgjigjësve janë shprehur se nuk kanë probleme me hapësirë të mjaftueshme për jetesë. Vetëm 6 (vetëm 5%) nga gjithsej 119 amvisëri kanë deklaruar se janë shumë të kënaqur nga banimi ose strehimi, pra nga kushtet e trojeve në të cilat jetojnë. Vetëm në 13.4 % të amvisërive secili fëmijë kishte dhomë të veten. Një pjesë e mirë e amvisërive kishin probleme me pikjen e tavanit (45.4 %), më tepër se gjysma (53.7%) me kalbjen e dritareve, dyerve dhe dyshemeve, pak më tepër (58 %) “bashkëjetonin”  me lagështinë në mure ose dysheme, rreth ¼-ta pa qasje në kanalizim, rreth 70 % pa nxemje adekuate.

Një prej indikatorëve të cilësisë së jetesës është edhe qetësia, pra gjendja pa probleme të natyrës së zhurmës apo zërave që njeriun s’e lënë të përqendrohet në veprimtaritë e veta apo që ia prishin atmosferën familjare, disponimin psikologjik etj. 4/5 e popullatës së Gazi Babës kanë qenë të prekur nga zhurma e çdoditshme. 95.1% e të anketuarve janë shprehur se jeta e tyre në komunën ku jetonin ose është keqësuar ose nuk ka ndryshuar fare. Një e treta kanë qenë decidë se jeta në ambjentin e tyre komunal shënonte vijë negative, shkonte keq e më keq. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.