Furnizimi i ARM-së me mjete të blinduara të lehta me rrota, Qeveria mori disa vendime

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për ndarjen e Amendamentit numër 5 ndaj marrëveshjes së lidhur Qeveri me qeveri për furnizimin e mjeteve të blinduara të lehta me rrota, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e miratoi tekstin e harmonizuar të Amendamentit, transmeton Portalb.mk.

“Amendamenti 5, siç shpjegohet, është në përputhje me letrën e kërkesës për furnizim konkret dhe vendimet e mëparshme të Programit dhe Grupit Drejtues në Ministrin e Mbrojtjes për furnizimin e mjeteve të blinduara të lehta me rrota JLTV. Mjetet financiare nuk i ngarkohen buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, sepse shuma do të paguhet duke përdorur mjete financiare nga programi FMF (Foreign Military Founds), të cilat janë donacion nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë mbyllet faza e parë e pajisjes së Armatës dhe grupit të batalionit të lehtë të këmbësorisë me mjete të blinduara të lehta, si pjesë e projektit të Ministrisë së Mbrojtjes për furnizimin e mjeteve të blinduara të lehta me rrota, i cili planifikohet të zbatohet në periudhën nga viti 2019 – 2027, si pjesë e planit afatgjatë për zhvillimin e aftësive mbrojtëse për modernizimin dhe pajisjen e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe arritjen e ndërveprimit të plotë me ushtritë e vendeve partnere të NATO-s.

Ndryshe, më 12 mars 2024, Qeveria e RMV-së miratoi vendimin për furnizimin me helikopterë transportues italianë. Në kuadër të këtij furnizimi, do të prokurohen dy lloje helikopterësh, Agusta 149 dhe Agusta 169. Njëri helikopter ka kapacitet më të madh, deri në 14 pasagjerë me pajisje, ndërsa tjetri me kapacitet më të vogël, deri në 8 pasagjerë po ashtu me pajisje.