Fshati Belicë është oazë e gjelbër e rajonit të Kërçovës të ndotur nga thëngjilli (FOTO)

Fshati Belicë i Kërçovës ka gjithçka që mund të dhurojë natyra, pyje, tokë pjellore, ujë dhe ajër të pastër. I vendosur nën shpatet e malit Ilin ky vend është një oazë e pastër në rajonin e Kërçovës të njohur për përdorimin e thëngjillit dhe ndotjes së mjedisit për shumë dekada, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Viteve të fundit Belica ka pasur rreth pesëmbëdhjetë banorë të përhershëm. Në periudhën e verës kjo gjë ndryshon. Këtu vijnë shumë familje që kanë prejardhje nga kjo zonë, e që tani jetojnë në qytete më të mëdha ose jashtë vendit. Ngjarja e vitit janë takimet e Belicës që mbahen në fund të korrikut. Fshati ka rreth njëqind shtëpi, shumica me arkitekturë të vjetër guri, të cilat banorëve të sotëm ua kujtojnë me krenari paraardhësit dhe vatrat e tyre. Banorët e Belicës tregojnë se shtatëdhjetë vjet më parë fshati ka pasur 2.000 banorë, ndërsa shkollën e fshatit e kanë ndjekur mbi 200 fëmijë.

Sot, pas dekadash plot emigracion, po rikthehet jeta në Belicë. Shtëpitë e vjetra prej guri po restaurohen dhe ringjallen. Energjia dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i disa prej banorëve në pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka rezultuar në restaurimin e ish godinës së shkollës dhe terrenit sportiv ngjitur me të, ndërkohë që planifikojnë të ndërtojnë një fushë tenisi dhe një pishinë.

“Shoqata për zhvillimin e Belicës është themeluar para 15 vitesh, qëllimi ynë ka qenë të kthejmë vendasit dhe t’i japim fshatit një shkëlqim të ri. Ne formuam një këshill, morëm vendim për mbledhjen e donacioneve dhe rindërtimin e shkollës së vjetër, pastaj edhe kishës. Gjatë kësaj periudhe janë rinovuar shumë shtëpi, ndërsa po ndërtohen edhe tani. Jemi të lumtur që kemi arritur në fazën kur kemi një projekt për vendosjen e paneleve fotovoltaike në objektin e shkollës, planifikojmë të ndërtojmë edhe fushën e tenisit, pastaj në fund edhe pishinën”, thotë Ilija Kosteski, kryetar i Shoqatës.

Nga jo shumë kohë më parë Belica është pjesë e një projekti të Shoqatës Ekologjike Maqedonase, të mbështetur nga Qeveria Suedeze, për themelimin e komunës së parë të gjelbër dhe si model se si një rajon i tërë i varur nga qymyri mund të transformohet drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. Shfrytëzimi i diellit apo i erës për energji, zhvillimi i turizmit alternativ, promovimi i kuzhinës tradicionale vendase, ruajtja e pasurive pyjore dhe biodiversitetit, përdorimi i qëndrueshëm i burimeve… janë vetëm disa nga mundësitë që i ka ky fshat dhe i gjithë rajoni.

Qëllimi është të krijojmë një model për një komunë të gjelbër ose një fshat të ndërgjegjshëm për mjedisin dhe të gjitha aktivitetet në projekt synojnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve, kultivimin e traditave, ruajtjen e burimeve natyrore dhe uljen e ndikimit të ndryshimeve klimatike në këtë rajon. Ne duam ta ringjallim Belicën me vlerat tradicionale eko, t’ua prezantojmë turistëve dhe t’u ofrojmë një kënaqësi unike”, thotë Robertina Brajanoska, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë.

Ajo thekson se në kuadër të angazhimeve për rritjen e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike po vijon prokurimi i stacionit meteorologjik që do të vendoset në Belicë dhe përmes të të cilit do të monitorohen temperatura, lagështia, reshjet, vlerat e CO2 dhe parametra të tjerë.

Banorët e Belicës janë shumë krenarë që në ish-Jugosllavi, në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, këtu është ndërtuar hidrocentrali i parë. Në atë kohë fshati ishte energjetikisht i pavarur nga qytetet e mëdha dhe sot ky është motivimi i tyre për të qenë sërish pionierë dhe për të krijuar komunitetin e parë energjetik në vend. Për realizimin e këtij qëllimi, panele fotovoltaike do të vendosen në çatinë e shkollës dhe në të ardhmen edhe në atë të kishës dhe në tridhjetë shtëpi individuale.

“Si komunë e parë e gjelbër në vend ne kemi një vizion për të ecur në disa drejtime. Njëri është të jemi një fshat i pavarur energjetik siç kemi qenë dikur në vitin 1953, kur është ndërtuar  hidrocentrali i parë pikërisht në Belicë. Kemi ditë me diell gjatë vitit dhe duam që të vendosen sa më shumë panelë fotovoltaikë në objektet e përbashkëta edhe nëpër shtëpitë e banorëve, si dhe kolektorë për ujë të ngrohtë. Në këtë mënyrë duam që të nxisim ristaurimin e sa më shumë objekteve në fshat, ndërsa qëllimi jonë final është që t’i kthejmë të rinjtë në shtëpitë e braktisura të paraardhësve të tyre “, thotë Rade Momiroski, anëtar i shoqatës.

Ai thekson se Belica është e mbushur me pyje, lumenj, burime, ka potencial në bujqësi dhe nëse do të kishte të rinj që do të donin të qëndronin këtu, do të kishin shumë mundësi, për shembull, si prodhues të ushqimit të shëndetshëm i cili sot kërkohet shumë.

Aleksandar Sokolloski është një nga të rinjtë e parë që së bashku me gruan e tij ka vendosur të kthehet në fshat dhe ta ndërtojë jetën e tij këtu.

“Vendndodhja e Belicës është e shkëlqyer, është një mjedis i pastër me tokë dhe ujë cilësor dhe larg ndotësve të ajrit. Ka një bollëk ushqimesh dhe fruta pylli, ndërsa ajo që ne e prodhojmë është e një cilësie të shkëlqyer. Për shkak të gjithë kësaj, unë shoh një perspektivë si banor i Belicës. Gjithçka tjetër që bëjmë në fshat vetëm sa e përmirëson cilësinë e jetës këtu”, thotë Sokolloski.

Me një përkushtimin e madh të banorëve të Belicës që pa ngurruar dhanë donacionet e tyre, sot objekti i vjetër i shkollës është rinovuar, zgjeruar dhe është përshtatur për të funksionuar si Ekoqendër e Belicës dhe për të përfaqësuar qendër të komunitetit rural jo vetëm të këtij fshati, por edhe të rajonit më të gjerë të malit Ilin dhe Plaken. Këtu është planifikuar të bëhet edukimi dhe promovimi i vlerave natyrore të rajonit, të përdoret për zhvillimin e ekoturizmit, për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe më e rëndësishmja të jetë një model i suksesshëm për t’u replikuar tek komunitetet e tjera në rajon dhe për krijimin e ndryshimeve pozitive në mesin e popullatës lokale dhe kthimin e të rinjve në fshatra. Banorët e Belicës duan ta rindërtojnë mullirin më të vjetër në lumin Beliçka, i cili ka qenë në pronësi të familjes së Kame Simunoskit për më shumë se tre breza dhe që ruhet edhe sot.

Nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë thotë se mali Ilin dhe Plaken kanë ruajtur bashkësi pyjore duke e minimizuar ndikimin e njeriut dhe përfaqësojnë një korridor ekologjik për lidhjen e popullatave të ariut të murrmë, ujkut dhe rrëqebullit ndërmjet parqeve kombëtare të Mavrovës, Pelisterit dhe Galiçicës dhe janë një zonë e rëndësishme për zhvillimin e gjelbërimit,  sipas rrjetit ekologjik kombëtar (MAK-NEN).

Malet kanë pasuri të mëdha natyrore, duke përfshirë habitate të rëndësishme dhe lloje bimore dhe shtazore, si dhe bimë të rëndësishme si Sideritis scardica, Oxytropis purpurea. Megjithatë, ky rajon ka nevojë për mbrojtje dhe zhvillim të qëndrueshëm sepse në  të po bëhen aktivitete për shfrytëzimin intensiv të burimeve natyrore si prerja e drunjve, gjuetia intensive, gjuetia pa leje, peshkimi i paligjshëm, vjelja e pakontrolluar e kërpudhave apo djegia e pyjeve. Rajoni i Kërçovës është një nga rajonet me thëngjill i cili në periudhën e ardhshme do të pësojë ndryshime të mëdha të nxitura nga tranzicioni energjetik. Kjo rrugë sigurisht nuk do të jetë e lehtë,  e me sa duket Belica dhe shembulli i saj do të jenë hapi i parë në drejtimin e duhur.