Frika e përhapjes së luftës, Evropa rikthen rekrutimet në ushtri

Pushtimi që Rusia i bëri Ukrainës në vitin 2022 tronditi Evropën dhe e bëri atë që të rishikonte kapacitetet e saj mbrojtëse, raporton EN. Me paqen në kontinentin e vjetër që nuk është më e sigurt, shumë vende perëndimore po shqyrtojnë nëse rekrutimi është zgjidhja e problemeve të tyre me sigurinë.

Në gusht Lituania njoftoi planin për të zgjatur projektin në fjalë, duke u bashkuar me Danimarkën, ndërsa politikanët në Gjermani dhe Britani sugjeruan rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm.

Por a është rekrutimi qasja e duhur kundrejt agresionit rus? Çfarë impaktesh mund të ketë ajo tek Evropa? A do të rezultojë pozitive, apo joproduktive?

Vincenzo Bove, profesor i shkencave politike në Universitetin Warwick, i specializuar në çështjet ushtarake thotë se, tani forcat e armatosura evropiane, sidomos ato në kufi me Rusinë, po e kuptojnë se nuk kanë fuqinë e duhur.

“Këto vende e shohin rekrutimin si zgjidhjen e duhur, por nëse është ideja e duhur për t’u mbrojtur nga një pushtim eventual rus, për këtë nuk jemi të sigurt”, ka deklaruar Bove, duke shtuar se nuk ka prova që rekrutimi të rezultojë efikas.

Sa i takon kompleksitetit të luftërave moderne, Bove vë në dyshim nëse rekrutët e rinj do të marrin trajnimin e duhur për përdorimin e pajisjeve të avancuara në një periudhë të shkurtër.

“Shikoni se çfarë po ndodh në Rusi me rekrutët. Ata nuk janë të motivuar. Të rinjtë po detyrohen të luftojnë në një kohë kur shumica e tyre do të preferonin të bënin diçka tjetër”, ka deklaruar eksperti.

Në korrik, një ish-mercenar i grupit rus “Wagner” tha për Euronews se kur shërbente në Ukrainë detyra kryesore e tij ishte të sigurohej që rekrutët rusë, të cilët nuk ishin as 21 vjeç, të mos arratiseshin, pasi ngurronin të merrnin pjesë në luftime.