Franca: Pse duhet të njihet shteti i Palestinës tani?

Franca pritet ta njohë Palestinën më vonë këtë pasdite. Sipas Francës, krijimi i shtetit palestinez do të thotë fundi i Hamasit. Vendimi për të njohur zgjidhjen me dy shtete do të merret në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (UNGA). Në këtë rast, disa shtete do të marrin të njëjtin vendim, në linjë me iniciativën franko-saudite, shkruan Portalb.mk.

Pse duhet të njihet Shteti i Palestinës tani?

Qëndrimi i qeverisë franceze është se njohja duhet të ndodhë për shkak të luftës së pafundme, fatkeqësive humanitare në Gaza dhe rritjes së “fait accompli” (fakteve të kryera) në terren. Sipas qeverisë franceze, njohja është një detyrim moral dhe politik. Kjo bëhet për të rihapur kanalet diplomatike dhe për të ruajtur zgjidhjen me dy shtete, e cila konsiderohet si zgjidhja e vetme politike, e drejtë dhe e qëndrueshme që plotëson aspiratat legjitime të izraelitëve dhe palestinezëve për të jetuar në paqe dhe siguri.

Një lëvizje e nisur nga Franca dhe angazhimet e marra nga Autoriteti Palestinez kanë bërë që shtete që nuk e kishin njohur ende Shtetin e Palestinës t’i bashkohen kësaj iniciative, duke përfshirë dy shtete anëtare të G7-së: Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Portugalinë, Belgjikën dhe Luksemburgun. Në të njëjtën kohë, Franca po ndërmerr hapa me disa shtete të interesuara si Singapori, Japonia, Korea e Jugut dhe Zelanda e Re, si dhe me ato që nuk e njohin ende Izraelin.

Kjo njohje mbështet ata në Palestinë ose Izrael që kanë zgjedhur gjithmonë dialogun dhe njohjen e ndërsjellë, edhe në kohët më të vështira. Qëllimi është të mos shpërblehet terrorizmi, por ata që kundërshtojnë përdorimin e dhunës, përfshirë Autoritetin Palestinez, i cili prej kohësh ka hequr dorë nga lufta e armatosur dhe ka njohur të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Gjithashtu, kjo është në përputhje me pozicionet e kaluara të Francës në rajon, me parimet e saj dhe me mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë të drejtën për vetëvendosje që është e përfshirë në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Nga ana e tij presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se “njohja e shtetit palestinez sot është e vetmja mënyrë për të ofruar një zgjidhje politike për një situatë që duhet të ndalet”.

Emmanuel Macron. Foto nga Olsi Shehu/AA
Emmanuel Macron. Foto nga Olsi Shehu/AA

Deklarata e Nju Jorkut për zgjidhjen paqësore të çështjes së Palestinës

Deklarata e Nju Jorkut u miratua më 29 korrik në Konferencën Ministrore Ndërkombëtare, bashkë-drejtuar nga Franca dhe Arabia Saudite. Ajo u mbështet më 12 shtator me një rezolutë të miratuar nga 142 vende në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke përfshirë katër nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe gjashtë nga shtatë shtetet anëtare të G7-së. Kjo ishte hera e parë që UNGA dënoi Hamasin ndërkombëtarisht.

Qëllimi i deklaratës është të rivendosë një horizont politik të besueshëm pas përfundimit të luftës në Rripin e Gazës, si dhe të sigurojë sigurinë e palestinezëve dhe izraelitëve, si dhe stabilitetin rajonal. Elementet kryesore për ditën pas përfundimit të konfliktit përfshijnë:

  • Fundi i menjëhershëm i luftës: Mbështetja e përpjekjeve të ndërmjetësimit nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara ; lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte i pengjeve; tërheqja e forcave izraelite nga Rripi i Gazës ; dërgimi i papenguar dhe masiv i ndihmës humanitare; dhe dënimi i çdo lloj okupimi, rrethimi, aneksimi territorial ose zhvendosjeje të detyruar të popullsisë.
  • Krijimi i një shteti sovran dhe ekonomikisht të qëndrueshëm të Palestinës: Krijimi i një komiteti kalimtar administrativ nën kujdesin e Autoritetit Palestinez të reformuar, për të menaxhuar qeverisjen dhe shërbimet e zbatimit të ligjit; çmilitarizimi i Hamasit dhe përjashtimi i tij nga çdo qeverisje në Rripin e Gazës ; dhe mbështetja për një mision stabilizimi nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
  • Ruajtja e zgjidhjes me dy shtete: Dënimi i ndërtimeve të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe dënimi i terrorizmit.
  • Arritja e integrimit rajonal: Përmes masave konkrete drejt njohjes së ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha shteteve në rajon, si dhe normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin nga shtetet arabe dhe myslimane.
Pamje nga Palestina pas sulmeve izraelite. Foto: Anadolu Agency
Pamje nga Palestina pas sulmeve izraelite. Foto: Anadolu Agency

Përballja me kritikat

Ata që akuzojnë Francën se po i shkon për shtat Hamasit janë të pasaktë, thonë nga qeveria franceze. Franca dënoi menjëherë sulmet terroriste të 7 tetorit , pësoi humbje të rënda me 51 shtetas të vrarë dhe 8 pengje , dhe ishte iniciatore e një Koalicioni kundër Hamasit. Për më tepër, njohja e një shteti Palestinez, nga i cili Hamasi do të përjashtohej plotësisht nga qeverisja, është një pengesë e madhe për Hamasin. Krijimi i një Shteti të Palestinës në kushtet e përcaktuara do të nënkuptonte fundin e Hamasit, i cili e kundërshton zgjidhjen me dy shtete. Pozicioni i Francës mbetet i pandryshuar: Hamasi është një lëvizje terroriste dhe duhet të çarmatoset dhe të përjashtohet nga qeverisja palestineze.

Në lidhje me reformat e autoritetit palestinez, ato po monitorohen nga afër në nivel bilateral, në nivel të Bashkimit Evropian dhe përmes auditimeve të pavarura. Presidenti Abbas ka bërë angazhime të rëndësishme, duke përfshirë reformimin e kurrikulave shkollore për të ndaluar mësimin e urrejtjes ndaj Izraelit dhe vendosjen e bazave për një shtet plotësisht demokratik. Reforma e sistemit të pagesave për të burgosurit është përfunduar plotësisht dhe do të vlerësohet nga një firmë auditimi amerikane dhe një auditim tjetër i pavarur.

Njohja e shtetit të Palestinës ndihmon në privimin e Hamasit nga perspektiva e legjitimitetit dhe kontribuon në paqe afatgjatë. Pretendimi se kjo njohje shkaktoi dështimin e negociatave të fundit për armëpushim është një lajm i rremë (“fake news”), pasi dështimi i tyre ishte konfirmuar para njoftimit.

Derisa rritet mbështetja për Palestinën, Izraeli rrit vrasjet e civilëve në Gaza

Ndërkohë, të paktën 29 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në të gjithë enklavën që nga agimi, përfshirë 25 në qytetin e Gazës, transmeton Al Jazeera.

Franca dhe Arabia Saudite do të mbledhin dhjetëra udhëheqës botërorë për të mbledhur mbështetje për një zgjidhje me dy shtete, me disa prej tyre që pritet të njohin zyrtarisht shtetin palestinez – një veprim që mund të shkaktojë reagime të ashpra nga Izraeli dhe SHBA-ja.

Zhvillimi vjen një ditë pasi Kanadaja, Australia dhe Portugalia iu bashkuan Mbretërisë së Bashkuar në njohjen zyrtare të shtetësisë palestineze.

Lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 65.344 njerëz dhe ka plagosur 166.795 që nga tetori 2023. Mijëra të tjerë besohet se janë varrosur nën rrënoja. Një total prej 1.139 personash u vranë në Izrael gjatë sulmeve të 7 tetorit dhe rreth 200 u morën peng.