Formonin lëndë kundër opozitës dhe gazetarëve, ASK raportoi në Prokurori ish-drejtorin dhe disa punëtorë
Tre raportet në Prokurorinë Publike vijnë pas një hetimi të brendshëm në Agjencinë për Siguri Kombëtare (ASK), hetim që zbuloi formimin e lëndëve për përpunim operativ të drejtuar ndaj opozitës, udhëheqësit të një partie opozitare, si dhe një grupi gazetarësh dhe mediash në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024, raporton 360shkallë, përcjell Portalb.mk.
Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) ka paraqitur tre raporte në Prokurorinë Publike në lidhje me një ish-drejtor dhe një grup punonjësish të ASK-së për shkak të treguesve për sjellje të paligjshme, joprofesionale dhe joetike. Raportet, sipas ASK-së, janë rezultat i një hetimi të brendshëm të kryer pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2024 dhe lidhen me veprime në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024.
Hetimi i brendshëm çoi në informacione rreth formimit të rasteve për përpunim operativ të opozitës, udhëheqësit të një partie opozitare dhe një grupi gazetarësh dhe mediash, qëllimi i të cilëve, sipas rastit, ishte rrëzimi i qeverisë. Objektivi i përpunimeve të tjera, ndër të tjera, ishte një prokuror publik dhe një ministër në qeverinë e atëhershme.
Gjithashtu u përcaktua se kontrollet e sigurisë u vonuan qëllimisht, për shembull, për një deputet nga opozita e atëhershme, në një procedurë për marrjen e një certifikate sigurie.
Hetimi i ASK-së përcaktoi se në këto raste burimet materiale dhe teknike të Agjencisë u përdorën në mënyrë të paligjshme, dhe komunikimet u monitoruan gjithashtu në mënyrë të paligjshme.
Ndryshe, në bazë të pretendimeve të kryeministrit aktual, Hristijan Mickoski, se ai është ndjekur nga shërbimet e sigurisë para disa viteve, Prokuroria Themelore Publike në dhjetor të vitit 2024 kishte paralajmëruar se do të hap lëndë në lidhje me këtë çështje.