Filloi zyrtarisht fushata elektorale në Shqipëri

Ka nisur sot zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Partitë politike, kandidatët për kryebashkiakë dhe ata për këshilltarë mund të prezantojnë programet e tyre deri më 12 Maj 2023, kur është edhe dita e fundit e fushatës zgjedhore, raporton Klan.

13 Maji do të jetë heshtje zgjedhore dhe më 14 Maj zgjedhësit do të kenë mundësi të shprehin votën e tyre për kandidatët dhe subjektet zgjedhore që marrin pjesë në këto zgjedhje.

Prej ditës së sotme matet edhe koha televizive për çdo subjekt zgjedhor sipas përcaktimeve të vendimit të KQZ-së.

Në total janë 44 forca politike që janë regjistruar për të marrë pjesë në garën e 14 Majit, vetëm 6 janë të grupuara në dy koalicione, një prej të cilëve “Bashkë Fitojmë” ku është Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë. Ndërkohë, janë 12 kandidatë të pavarur dhe në total të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilltar bashkiak janë 23,788 kandidatë, 144 prej të cilëve janë kandidatë për kryetar bashkie.

Partia Socialiste vjen në këto zgjedhje me një fushatë ndryshe, duke shmangur takimet masive, ndërsa është përqëndruar në tubime të vogla.

Ajo e nisi fushatën e saj të mërkurën me një takim në Tiranë, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.

Ndërsa Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” do ta hapë fushatën e saj zyrtare ditën e nesërme me një takim në stadiumin “Air Albania”.