Filloi Samiti i Forumit Ekonomik Botëror në Davos me fokus në dialog, pjesëmarrës edhe kryeministri i RMV-së

Takimi i 56-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror ka filluar në Davos mbi temën “Fryma e Dialogut”, transmeton Portalb.mk.

Në ngjarje do të jenë 400 zyrtarë të lartë dhe udhëheqës politikë, përfshirë 65 krerë shtetesh dhe qeverish, 55 ministra ekonomie, 33 ministra të jashtëm, 34 ministra të tregtisë dhe 11 guvernatorë të bankave qendrore.

Pjesëmarrës janë edhe akademikë, përfaqësues të biznesit dhe organizata ndërkombëtare. Ata do të diskutojnë çështje si ekonomia globale, teknologjia, inteligjenca artificiale dhe qëndrueshmëria.

Midis liderëve të pranishëm janë presidenti amerikan Donald Trump, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti argjentinas Javier Milei dhe të tjerë. Trump do të mbajë fjalim më 21 janar.

Në Forum do të merr pjesë edhe kryeministri i vendit Hristjan Mickoski me delegacionin qeveritar.

Nga Qeveria njoftuan se Mickoski do të realizojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të korporatave kryesore botërore dhe institucioneve financiare, duke prezantuar përparësitë për investim në ekonominë vendase, me fokus të veçantë në energjetikë dhe teknologji.

“Është paraparë që kryeministri të marrë pjesë në sesione të mbyllura për liderët, si dhe në debate publike të fokusuara në inteligjencën artificiale, energjetikën dhe rrugët e reja për rritje ekonomike në Evropë”, informoi Qeveria.

Samiti mbahet nën masa të rrepta sigurie. Policia dhe ushtria përdorin inteligjencën artificiale për monitorim, ndërsa civilët kontrollohen me skanime dhe njohje fytyre.

Samiti zgjat deri më 23 janar dhe pritet të marrin pjesë rreth 3.000 pjesëmarrës nga 130 vende.