Filipçe: Mickoski kërkon konstruktivitet, por nuk është i gatshëm të zhbllokojë integrimet evropiane

Zhbllokimi i integrimit evropian kërkon qasje prej burrështetasi, prandaj është e paqartë që Kryeministri një herë kërkon konstruktivitet, dhe pastaj refuzon çdo propozim, tha sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, transmeton Portalb.mk.

Deklarata e tij vjen pasi Mickoski refuzoi propozimin për Rezolutë të përbashkët në Parlamentin e Maqedonisë mbi vijat e kuqe.

“Më vjen shumë keq që kryeministri një herë kërkon konstruktivitet, dhe një herë tjetër refuzon çdo propozim. Nëse kjo është pjesë e folklorit parazgjedhor apo jo, duke pasur parasysh llojin e fushatës që zhvilluan vitin e kaluar, nuk mund ta them tani, por fakt është se asgjë nuk po ndodh në fushën e integrimit evropian, dhe rajoni po ecën përpara. Shqipëria po ecën përpara, Mali i Zi po ecën përpara me një plan tashmë konkret që deri në vitin 2027 ose 2028 do t’i përfundojnë plotësisht negociatat. Praktikisht jemi në një fazë ku praktikisht i kemi braktisur negociatat. Dhe kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodhë”, tha Filipçe.

Ai njoftoi se LSDM do të përgatisë dokument me qëndrime të qarta për integrimin evropian dhe do ta paraqesë atë këtë javë.

“Do të përgatisim një dokument që do të jetë një version pune, të cilin do ta ofrojmë gjatë kësaj jave, në të cilin besoj se do të përfshihen të gjitha aspektet që janë të rëndësishme për vendin. Do të përmendim të gjitha deklaratat e mëparshme, do të përmendim detyrimet që janë ndërmarrë në kuadër të propozimit francez dhe do të bëjmë një propozim se si ne si LSDM besojmë se duhet të vazhdojmë më tej, me vija të kuqe të qarta dhe precize, në mënyrë që të gjithë në një tavolinë më në fund të dinë për çfarë po flasim dhe si të ecim përpara”, tha Filipçe.

Kryetari i LSDM paralajmëroi për pasojat e bllokimit të procesit, duke theksuar se të rinjtë e shohin gjithnjë e më shumë të ardhmen jashtë vendit.

Sipas tij, koha aktualisht po humbet dhe zhgënjimi i qytetarëve po rritet sepse asgjë nuk po ndodh në fushën e integrimit evropian.

“Po humbasim fonde sepse agjenda e reformave nuk po zbatohet, veçanërisht në fushën e gjyqësorit. Shteti ka humbur rreth 80 milionë euro sepse asnjë ligj që ishte i nevojshëm sipas planit të rritjes nuk u paraqit nga Ministria e Drejtësisë”, theksoi kreu i LSDM-së.

Ndërkohë, pushteti i RMV-së është kategorik se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Kjo u dëshmua edhe nga paraqitja e fundit e kryediplomatit Timço Mucunski, në intervistën e fundit për revistën Politiko. Për zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, kuadër i VLEN-it koha prej një viti në qeveri nuk është e mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese, edhe pse premtim kryesor i tyre ishte se për gjashtë muaj kjo punë do të kryhet.