Festa e Vitit të Ri në shesh me këngëtarë maqedonas, pa asnjë shqiptar dhe pa fishekzjarre

Këngëtarët maqedonas do të jenë yjet e festës së Vitit të Ri, kryetari i Shkupit Orce Gjorgievski njoftoi se nuk do të ketë fishekzjarrë. Karolina Goçeva, Tamara Todevska, Mile Kuzmanovski, Kuku Lele, Ognjan Zdravskovski, Pajak, Lara, Dy Bona dhe Tina Perovska do të performojnë në festën më 31 dhjetor në sheshin “Maqedonia”, e cila do të organizohet nga Videolotaria Shtetërore. Qyteti i Shkupit do të paguajë për dekorimet, të cilat do të kushtojnë 70,000 euro, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sonte, në një ngjarje të veçantë, të cilën Gjorgievski thotë se do të bëhet traditë, do të ndriçohet pema e Vitit të Ri dhe do të fillojë dekorimi i rrugëve dhe shesheve, si dhe do të hapet tregu i Vitit të Ri. Çdo ditë nga ora 18:00 do të ketë një program të Vitit të Ri me shfaqje muzikore nga artistë të rinj, dhe në fundjavë nga ora 12:00 do të ketë edhe një program për fëmijë. Më 27 dhjetor në mesditë do të organizohet një festë, ku do të vijë babadimri me dhurata dhe surpriza për të gjithë të pranishmit.

Gjorgjievski thotë se qyteti duhet të dalë nga apatia, dhe banorët e Shkupit meritojnë një festë, dhe u bëri thirrje të gjithëve të vijnë dhe ta mirëpresin vitin e ri së bashku.

Do të flas me të gjithë kryetarët e bashkive të të gjitha komunave, në mënyrë që të mos ketë ndarje të qytetarëve në festa të ndara. I ftoj të gjithë me familjet e tyre të vijnë në shesh, në mënyrë që ta mbushim Shkupin me energji pozitive”, tha Gjorgjievski.

Ndryshe, fishekzjarrët nuk janë lodra, përdorimi i tyre është rreptësisht i ndaluar sepse mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve, veçanërisht të rinjve, dhe mund të lënë pasoja afatgjata. Kjo është pjesë e apelit që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u dërgoi më 9 dhjetor qytetarëve, në të cilin u bën thirrje të përmbahen nga përdorimi i piroteknikës gjatë festave të Vitit të Ri.