Fenomeni i liderëve “pa pasuri”: Çfarë deklaroi Bilall Kasami?
Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është një nga dy kryetarët e koalicionit qeverisës VLEN, e cila u bë parti. Bashkëkryetari tjetër është Izet Mexhiti, kryetari aktual i Komunës së Çairit, transmeton Portalb.mk.
eMagazin shqyrtoi se çfarë pasurie deklaroi Kasami në Komisionin Kundër Korrupsionit kur u bë kryetar i Komunës së Tetovës për herë të dytë.
Nga pasuritë e paluajtshme në emrin e tij, Kasami ka paraqitur vetëm tokë bujqësore. Mirëpo, në emrin e prindërve të tij ka mbi dhjetë toka ndërtimore, të cilat kanë vlerën e qindra e deri në miliona denarë.
Listën e plotë të pasurisë së paraqitur mund ta shikoni në këtë LINK.
Në Maqedoninë e Veriut kjo tashmë duket se është bërë praktikë e njohur, zyrtarë që në formularët e Antikorrupsionit shpesh figurojnë pa prona personale, ndërsa pasuritë “strehohen” te prindërit apo familjarët.
Pa digjitalizim dhe kontroll më efikas, verifikimi real i pasurisë së funksionarëve mbetet i vështirë.
Ndryshe, megjithëse softueri për verifikimin e pasurive të zyrtarëve është vënë në funksion, ai ende nuk operon plotësisht për shkak të mungesës së integrimit me të gjitha institucionet që posedojnë të dhëna kyçe.
Aktualisht, sistemi i Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është i lidhur vetëm me disa institucione si MPB-ja, DAP-i, Regjistri Qendror dhe Kadastra, ndërsa procesi i integrimit me institucionet e tjera vazhdon pa një afat konkret për përfundim. Kjo nënkupton se verifikimi i pasurisë së funksionarëve mbetet ende i pjesshëm dhe në shumë raste kërkon kontrolle manuale.
Në mungesë të një sistemi tërësisht të automatizuar dhe të një ligji funksional për prejardhjen e pasurisë, institucionet vazhdojnë të kenë vështirësi në evidentimin e plotë të pronës së zyrtarëve, sidomos në rastet kur pasuria nuk figuron drejtpërdrejt në emrin e tyre.